“Kurti ka rënë në grackën e Serbisë”, Hamiti: Dikur kundërshtonte asociacionin, tani po fsheh atë që ka pranuar

schedule16:29 - 28 Tetor, 2023

schedule 16:29 - 28 Tetor, 2023

Ish këshilltari i presidentit Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pranuar draftin për asociacionin ndërkohë që kundërshtimin e tij e kishte bërë kauzë populiste. Në një intervistë për Linda Karadakun, ai thotë se kjo po bëhet me vonesë dhe kur vendi ka sanksione.

“Po të shihni marrëveshjen e 2013, në një mënyrë ka qenë njohje de facto. E vërteta është që asociacioni po bëhet me Albin Kurtin, i cili e ka kundërshtuar dhunshëm dhe ka damkosur këdo që ka thënë se Kosova duhet të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare. Një shtet i përgjegjshëm dhe që do të bëhet pjesë e sistemit ndërkombëtar patjetër që duhet të zbatojë marrëveshjet por Kurti ka bërë kauzë kundërshtimin e asociacionit, madje duke përdorur termin në serbisht për ta përkeqësuar dhe ja ku jemi sot. Duket paradoksalisht se asociacioni ka pritur Kurtin për të zbatuar se pse me Kurtin në opozitë nuk ishte e mundshme dhe me Kurtin në pushtet po bëhet e mundshme me një vonesë të madhe, me dëme për Kosovën, me sanksione ndërkombëtare. Jemi këtu ku jemi sepse kemi një qeveri të papërgjegjshme me kryeministrin Kurti në krye.“, u shpreh ai.

Ai kritikoi gjithashtu edhe faktin se kryeministri Kurti, ndonëse ka një javë që është njohur me draftin e pranuar për asociacionin e komunave me shumicë serbe të propozuar nga ndërkombëtarët, nuk është prezantuar në Kuvend, ndryshe nga çfarë kanë bërë faktorë të tjerë politikë për dialogun me Serbinë.

“Kur ka ndodhur procesi i dialogut më parë, në kohën kur ka pasur përparim, gjithmonë ka pasur paraqitje në Kuvend për procesin e dialogut. Me këtë qeveri s’kemi një gjë të tillë. Ka një javë që i është dhënë ky draft i statutit sepse nuk ka qenë proaktiv, duke thënë se s’do të bëhet dhe tani e ka sjellë situatën që t’ja bëjnë draft statusin dhe ky ta pranojë. Kurti është njeri i papërgjegjshëm dhe po e mban të fshehtë. Ka degraduar demokracia e Kosovës deri në atë shkallë që ne para 10 vitesh, 7 apo 5 vitesh kemi pasur paraqitje të njerëzve që e kanë drejtuar dialogun, kanë biseduar për këtë çështje dhe me qeverinë Kurti këto nuk i kemi. Kemi një qeveri që nuk bën dialog as me qytetarët e vet, as me Kuvendin ndërkohë që i bën dëme Kosovës sepse duke i kuptuar me vonesë mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare, duke e keqkuptuar në thellësi krejt punën e shtetit sepse qeveritë ndërrojnë, shteti është ky që është, ai e ka kuptuar mezor se nuk ka alternativë përpos kësaj marrëveshje. Përpos kësaj, në Ohër dhe në Bruksel ka pranuar marrëveshje që me gjasë është më e keqe sesa marrëveshja që ky damkoste, që ky madje bëri protesta të dhunshme për ta kundërshtuar dhe kauzë populiste duke u dhënë njerëzve idenë se kishte zgjidhje të thjeshtë për probleme të ndërlikuara. I ka bërë dëme Kosovës vetëm me vonesat. Ne vuajmë sanksione, kemi humbur në këto gjysmë viti të dytë, me qindra milionë euro ndërkombëtare për shkak të kësaj qeverie të papërgjegjshme.”, shtoi ai.

Sipas tij, mënyra se si është sjellë Serbia në këtë dekadë tregon se ka dashur që të zvarrisë procesin e dialogut. Ai thotë se në këtë grackë ka rënë edhe kryeministri Kurti, i cili gjithashtu me veprimet e tij ka ngadalësuar këtë proces. Hamiti thotë se Kurtit s’i ka mbetur shteg tjetër veçse të pranojë këtë marrëveshje.

“Mënyra se si është sjellë Serbia në këtë dekadë është që të zvarrisë procesin e dialogut. Kurti ka rënë në grackën e tij më shumë se një herë. Uroj që të mos bjerë edhe një herë. Ai ka pranuar marrëveshjen që po e shet si të mirë, që përveç asociacionit potencialisht mund të jetë asociacion plus, dhe me dorën e vet po do edhe nënshkrimin. Njihet si marrëveshje ndërkombëtare dhe Kosova si aktor i përgjegjshëm që do të bëhet pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, do ta zbatojë me Kurtin sipas të gjitha gjasave sepse nuk i ka mbetur shteg tjetër dhe uroj që të mos jetë më e keqe seç ka qenë më herët.”, përfundoi Hamiti./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!