PRISHTINË- Një incident i rëndë diplomatik, por me shumë pasoja është shmangur në minutën e fundit, pasi protokolli i qeverisë Kurti fillimisht përjashtoi nga fjalimet e festës se çlirimit të Kosovës, presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka thirrur për t’i kërkuar llogari dhe kjo thirrje dhe ndërhyrja e presidentes Osmani kanë bërë që fjalimi i presidentit Begaj të rikthehej në protokollin e festës.
Shqipëria priti mbi një milion bashkëpatriotë në mars-qershor 1999 në kulm të luftës në Kosovë. Incidenti është më i fundit në përplasjet e Albin Kurtit me Shqipërinë.
Kjo temë u diskutua ne emisionin “Ballkan Update” në ABC News, me gazetaren Linda Karadaku.
Ish-ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti, tha se këto incident janë të panevojshme dhe të papranueshme për lidershipin e Kosovës.
Ai theksoi se këto inate personale nuk e zbehin dëshirën e madhe të qytetarëve dhe lidhjet shpirtërore që kanë, si në Shqipëria ashtu dhe në Kosovë.
“Këto incidente të vogla janë të rënda, kur bëhet fjalë në raportet ndërmjet nesh, por nuk besoj se ka asnjë lloj tendence mes dy qeverive që shkëput marrëdhëniet mes qytetarëve tanë. Është për keqardhje kur ka një tendencë, që mos të përfshihet i gjithë vullneti i të gjithëve atyre që janë angazhuar, që sot Kosova është e pavarura. Le të lutemi që këto të jenë të fundit. Nuk ka asnjë fuqi që mund të pengojë një proces integrues mes nesh. Këto sjellje japin shije të hidhur, por veprime që pengojnë shpejtimin e hapave integruese mes nesh”, tha ai.
Ai shtoi se Kosova duhet ta kuptojë se Shqipëria ka qenë, është dhe do mbetet “jetike” për të gjitha proceset që po kalon vendi.
“Roli i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet jetik për ne. Është jetik për proceset e të ardhmes. Jo vetëm çlirimi, që ka vulën e Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Nuk duhet të votohet në dilemë roli i Shqipërisë, ai ishte i rëndësishëm dhe Shqipëria ishte dhe një frymëzim që ta mbanin gjallë rezistencën për liri, pasi ishte e vetmja derë e hapur. Ajo ishte një derë, përmes së cilës do të hapnim edhe shumë derë të tjera. E kemi detyrë të gjithë të punojmë bashkërisht. Shqipëria është vendi ku ne jo vetëm gjetën strehën dhe ndihmën në të gjitha fazat. Ky është një moment që duhet të na rikthejnë që ne duhet të jemi bashkë në proceset integruese si shqiptar.”, theksoi ai.
Megjithatë, Pajaziti tha se me gjithë gabimet e qeverisë së Kosovës, Shqipëria duhet të vijojë të bëjë rolin e vëllait të madh dhe këto gabime të qeverisë Kurti t’i marrë me rezerva.
“Edhe këtë herë Shqipëri duhet të sillet si vëllai i madh dhe t’i kuptojë gabimet e të voglit. Inatet e vogla personale, mund ta dëmtojnë vetëm qeverinë e Kosovës, por jo imazhin e Kosovës dhe as dëshirën e shqiptarëve për të qenë bashkë. Kjo sjellje nuk pasqyron shumicën e shqiptarëve të Kosovës dhe as nuk mund të dëmtojë procesin e integrimin tonë”, tha ai./ n.m.abcnews.al