Mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës po udhëhiqet nga zëvëndëskryeministri, Besnik Bislimi, pasi shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, ende s’është kthyer.
Kreu i ekzekutivit është duke qëndruar në Greqi që nga 8 korriku, ku po merr pjesë në disa organizime të ndryshme.
Këtë e kishte konfirmuar sot zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, teksa kishte dhënë detaje për vizitën e Kurtit në Republikën Helene.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit. Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI”, ka shkruar sot Kryeziu.
Besnik Bislimi po e drejton këtë mbledhje pasi ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, ku edhe ka treguar se është duke marrë infuzione dhe se aty ka ardhur direkt nga Klinika.