Analisti, Edvin Kulluri ka qenë i ftuar në “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, në ABC News, ku fillimisht foli për atë se ç’ka pritet të ndodhë nesër në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
Kulluri u shpreh se Albin Kurti nëser duhet të tregohet “burrë shteti” dhe të firmosë, pasi Kosova është më e rëndësishme se karriera e Kurtit apo e Vjosa Osmanit.
“Kurti dhe Osmani janë aty edhe për shkak të goditjes nga Gjykata Ndërkombëtare që morën Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Dukeqenëse është përfitues nga gjykata ndërkombëtare ai edhe duhet t’i dëgjojë ndërkombëtarët dhe jo vetëm të përfitojë nga konjukturat që krijohen nga situatat ndërkombëtare, ai përgjigjet pozitivisht këtyre institucioneve. Sepse i vetmi qëllim që kanë Shtetet e Bashkuara dhe BE është qëllim për të mirën e Kosovës.
Nuk e kuptoj si mundesh që një fuqie të madhe dashamirëse t’i nxjerrësh stërkëmbësha rrugës në fund të fundit kundër interesit të vendit tënd.
Ti mund të gjesh gjithmonë sebete, pika apo presje për të hequr apo shtuar në një marrëveshje. Burrat e shtetit mbahen mend për vendimet e qarta, të drejta dhe të prera uroj që Kurti nesër të tregohet burrë shteti dhe jo një llogaritar i vogël elektoral, apo si një njeri që do paguaj një koste elektorale. Kosova është shumë e rëndësishme se karriera e Kurtit apo Osmanit”, tha Kulluri. r.t/abcnews.al