Kurthi i Putinit, si i shfrytëzon Rusia krizat që nxit vetë në vendet përreth saj

schedule10:24 - 10 Janar, 2022

schedule 10:24 - 10 Janar, 2022

Marie Dumoulin “European Council on Foreign Relations

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Çfarë ndryshime mund të sjellë një vit! Në vjeshtën e vitit 2020, u duk sikur ndikimi i Rusisë dukej po zbehej në shumë shtete ish-sovjetike. Në Bjellorusi, protestat në shkallë të gjerë dukej se po paralajmëronin fundin e epokës së Alyaksandar Lukashenka.

Humbja e Maia Sandu përballë Igor Dodon në zgjedhjet presidenciale në Moldavi, e privuan Rusinë nga aleati i saj më i mirë politik në atë vend. “Revolucioni i Tetorit” në Kirgistan, pa daljen në skenë të një brezi të ri udhëheqësish me prirje nacionaliste, pa asnjë lidhje me strukturat e vjetra sovjetike.

Ndërkohë në Kaukazin e Jugut, mbështetja vendimtare e Turqisë për Azerbajxhanin në konfliktin me Armeninë mbi rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabak, sugjeroi fundin e ekuilibrit delikat që Rusia kishte ruajtur me kujdes për dy dekada.

E megjithatë në fillim të këtij viti, panorama që na shfaqet është krejtësisht e ndryshme: Rusia ka arritur të forcojë pozitat e saj në të gjithë rajonin. Presioni i saj ka arritur të ulë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në tryezën e negociatave.

Uashingtoni dhe Moska do të zhvillojnë sot bisedime në Gjenevë, ndërsa më 12 janar mblidhet Këshilli NATO-Rusi. Këto kontakte diplomatike, mund të jetë hapi i parë drejt uljes së tensioneve të krijuara nga grumbullimi i fundit i trupave ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës.

Rusia ka paraqitur disa kërkesa, të cilat shihen gjerësisht si një pengesë për SHBA-në dhe NATO-n. Dhe ajo i ka bërë këto kërkesa publike, gjë që ngre pikëpyetje mbi synimet reale të Moskës: A është vërtet serioze për këto kërkesa, apo ato janë thjesht një pretekst për të fajësuar Uashingtonin dhe NATO-n për dështimin e bisedimeve?

Apo me fjalë të tjera:A është vërtet e gatshme Rusia të arrijë një kompromis, apo thjesht po përpiqet të zgjerojë sa më shumë avantazhin e saj (duke pranuar mundësinë që bisedimet të dështojnë, në rast se nuk kënaqet 100 për qind)?

Një vështrim më i gjerë në qasjen e Rusisë ndaj fqinjëve të saj, mund të na zbulojë diçka rreth mënyrës sesi i trajton ajo – dhe si i shfrytëzon sa më shumë që mundet – krizat që janë shfaqur në territoret rreth saj. Gjatë vitit të fundit, Rusia i ka shfrytëzuar sistematikisht krizat në rajon, për të çuar përpara interesat e saj.

Duke synuar përfitimet taktike në vend të zgjidhjes së krizës, Rusia krijon vazhdimisht konfuzion midis rivalëve, realë apo të supozuar, dhe i nxit htyn ata të hidhen në pozita mbrojtëse, dhe kjo i pengon që të zhvillojnë një strategji më ambicioze për rajonin.

Përgjatë pjesës më të madhe të krizës në Bjellorusi, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar ndaj ngjarjeve, duke u përpjekur t’i menaxhojnë ato teksa janë duke u shpalosur, dhe të hamendësojnë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të Moskës. Politikë-bërësit e SHBA-së dhe BE-së, duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë qasje kur flasin me Rusinë mbi sigurinë evropiane, pasi kjo e bën më pak të mundshëm kompromisin.

Modeli tregon se Rusia përfiton nga një krizë ekzistuese përmes përdorimit të një gamë të tërë mekanizmash:diplomacia, energjia, media dhe ushtria. Po si e ka forcuar Rusia pozitën

e saj në rajon? Në Kaukazin e Jugut, pasi ndërmjetësoi me sukses një armëpushim midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, Moska e rriti ndikimin e saj ushtarak duke vendosur atje qindra paqeruajtës.

Tani Rusia është në gjendje të diktojë edhe axhendën e bisedimeve, si dhe formatet në të cilat duhet të zhvillohen ato. Në Gjeorgji, përpjekja për ndërmjetësim nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel e ka humbur vrullin e saj, përballë polarizimit të thellë të peizazhit politik në BE.

Kriza e stërzgjatur politike, nuk po i sjell drejtpërdrejt ndonjë dobi Rusisë. Por ajo po pengon reformat, dhe për këtë arsye ka pasoja mbi ndikimin dhe besueshmërinë e BE-së në, diçka për të cilën Moska vetëm mund të fërkojë duart.

Në Azinë Qendrore, marrja e pushtetit nga talebanët në Afganistan, ndihmoi që Rusia të rikthehej në rolin e saj si garantuesja përfundimtare e sigurisë së republikave post-sovjetike të rajonit. Kjo i ka dhënë asaj mundësinë të përforcojë kapacitetet e bazave të saj në Taxhikistan dhe Kirgistan, ndërsa në shtatorin e vitit të kaluar zhvilloi stërvitje ushtarake në Taxhikistan.

Rusia mund të vendosë tanimë kushte ndaj bashkëpunimit ushtarak të SHBA-së me këto vende, në kontrast të plotë me rolin që ato ishin në gjendje të luanin tek operacionet e NATO-s në Afganistan në vitet 2000. Po ashtu Rusia ka filluar dislokimin e trupave në Kazakistan, së bashku me anëtarët e tjerë të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, pas trazirave në atë vend.

Në Bjellorusi, mbështetja e Rusisë e ndihmoi Lukashenkën të mbetej në pushtet. Moska ka mbështetur financiarisht jo vetëm një regjim në prag të falimentimit, por po ashtu ka dërguar atje punëtorë rusë për të kompensuar mungesat nga grevat e mëdha në kompanitë shtetërore.

Por mbështetja e Moskës nuk ishte e pakushtëzuar, dhe tani Lukashenka është gjithnjë e më i ndërvarur nga Rusia. Prandaj ai ishte i detyruar të nënshkruante deri në 28 udhërrëfyes për integrimin e mëtejshëm mes dy vendeve, diçka që kishte hezituar ta bënte më parë.

Po ashtu ai e njohu aneksimin e Krimesë nga Rusia. Integrimi de fakto i Bjellorusisë në Federatën Ruse nuk është ende në rendin e ditës, por Lukashenka mund të mos jetë më në gjendje ta bllokojë atë.

Qeveria ruse ka folur hapur për bashkëpunim me qeverinë reformiste në Moldavi, e cila e mori detyrën pas zgjedhjeve parlamentare të korrikut 2021. Por në shtator, Moska provokoi një krizë artificiale të furnizimit me gaz për t’i kujtuar Kishinaut cenueshmërinë e saj energjitike.

Edhe pse Rusia mohoi ekzistencën e ndonjë axhende politike pas asaj krize, ajo e nxiti Moldavinë të vononte riorganizimin e kompanisë “MoldovaGaz”, të parashikuar në kuadrin e marrëdhënieve BE-Moldavi.

Ky ishte një lëshim politik që qeveria moldave duhej ta pranonte, përpara se Rusia të rifillonte furnizimet me gaz me një çmim të qëndrueshëm. E fundit, por jo më e parëndësishme, në Ukrainë Rusia bllokoi me sukses çdo diskutim kuptimplotë mbi Formatin e Normandisë, dhe nxiti kontakte të drejtpërdrejta midis qeverisë ukrainase dhe autoriteteve de facto të Donetskut dhe Luhanskut.

Duke shtuar presionin ushtarak në kufijtë e Ukrainës, fillimisht në pranverën e vitit 2021 dhe sërish gjatë 2 muajve të fundit, Rusia ka tërhequr vëmendjen nga diskutimet që supozohej se do të zhvilloheshin në Formatin e Normandisë për zgjidhjen e konfliktit në Donbas dhe e shndërroi atë drejt një negociatë me SHBA-në mbi sigurinë evropiane.

Nëse Rusia do të nisë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake në Ukrainë përtej Donbasit, kjo mbetet një çështje e hapur. Përgjigja do të lidhet me mënyrën se si autoritetet ruse i shohin dhe përdorin krizat.

Ajo që kanë treguar muajt e fundit, është një model në të cilin Rusia përfiton nga një krizë ekzistuese, për të çuar përpara interesat e saj. Në kuadrin e bisedimeve të ardhshme me SHBA-në dhe NATO-n, ky model e bën të pamundur që Rusia të pranojë ndonjë kompromis, i cili nuk arrin të forcojë pozitat e saj në Ukrainë dhe gjetkë në Evropën Lindore.

Prandaj, SHBA dhe NATO duhet të kërkojë ekuilibrin e duhur midis parandalimit dhe shtensionimit të situatës, për ta bindur Rusinë se një qasje më bashkëpunuese ndaj sigurisë është në interesin e saj, përfshirë transparencën dhe masat për ndërtimin e besimit, si dhe angazhimet për kontrollin e armëve. Gjithashtu ato do të duhet t’ia bëjnë të qartë Moskës, se çdo përpjekje për destabilizim do të kishte një kosto të lartë për të. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!