Kurthi i Putinit, çfarë fshihet pas tërheqjes së ushtrisë nga Kievi

schedule10:56 - 30 Mars, 2022

schedule 10:56 - 30 Mars, 2022

Nga Gianni Rosini “Il Fatto Quotidiano

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ditët e ardhshme mund të shënojnë një pikë kthese në pushtimin rus të Ukrainës. Një “nxitje e re” e ofensivës, që fillimisht do të fokusohet në zonat në lindje të vendit, në rajonin e Donbasit, objektivi madhor i operacionit ushtarak të urdhëruar nga Vladimir Putin, dhe në jug, veçanërisht në qytetin e Mariupolit, një nyje strategjike e rrethuar prej javësh tashmë, dhe që do ta lejonte ushtrinë e federatës rusë të krijonte një korridor lidhës midis republikave të vetëshpallura separatiste dhe gadishullit të Krimesë.

Kështu mund të shpjegohen sipas Claudio Bertolotti, eksperti i strategjisë ushtarake në Institutin e Studimeve të Politikës Nërkombëtare (ISPI) në Itali dhe drejtor i “Start InSight”, manovrat e trupave ruse që janë vënë re gjatë ditëve të fundit.

“Pas më shumë se 1 muaji konflikt, që u shndërrua në një luftë llogoresh, Moska dëshiron tani të rikuperojë vrullin fillestar, që i dha mundësi të përparonte me një shpejtësi të mirë, pavarësisht nga ajo që është thënë javët e fundit.

Tani synimi i Putinit është të përfundojë pushtimin e plotë të Donbasit sa më shpejt të jetë e mundur, duke i aneksuar territoret e këtij rajoni. Por nuk mund të përjashtojmë mundësinë

që menjëherë pas këtij hapi, ai të vendosë të shkojë sërish drejt Kievit, ta rrethojë sërish kryeqytetin ukrainas, dhe më pas të ulet në tryezën e bisedimeve nga një pozicion i fortë”.

Ky skenar, i planifikuar shumë më përpara nga rusët, u materializua edhe për aktorët e tjerë të përfshirë vetëm më 25 mars, kur Moska përsëriti se objektivi i parë për të mbetet kontrolli i Donbasit.

“Forcat e armatosura ruse, do të fokusohen në çlirimin e plotë të Donbasit”- thuhej në një deklaratë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes të cituar nga agjencia ruse e lajmeve Tass. Po ashtu ajo shpjegoi se sulmet që i kanë shkaktuar humbje forcave ukrainase në territoret e rrethuara, synojnë të parandalojnë dërgimin e përforcimeve në Donbas nga ana e Kievit.

Qëllimi i Kremlinit është dhënia fund e rezistencës ukrainase në lindje, duke qenë se të paktën sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ruse, forcat e Moskës dhe milicitë separatiste lokale kanë kontrollin e 94 për qind të territorit të provincës së Luhanskut, dhe 54 për qind të asaj të Donetskut.

Më 27 mars, ishte Ministria Britanike e Mbrojtjes, ajo që deklaroi se ”trupat ruse duket se po i përqendrojnë përpjekjet e tyre në rrethimin e forcave ukrainase në rajonet separatiste në lindje të vendit, duke përparuar nga drejtimi i Kharkivit në veri dhe Mariupolit në jug”.

Kjo tezë është përforcuar edhe nga lëvizjet e trupave të orëve të fundit, teksa një grup ushtarësh të vendosur rreth Kievit, janë rikthyer në Bjellorusi, ndërsa të tjerët janë larguar nga zonat lindore të Rusisë dhe me sa duket, edhe nga Gjeorgjia, dhe tashmë janë gati të hyjnë në Ukrainë.

“Ndryshe nga sa pretendojnë disa vëzhgues, përparimi i trupave ruse u zhvillua kryesisht sipas planeve”-thekson Bertolotti. “Ata që hipotetizonin se një Blitzkrieg, nuk morën parasysh faktin se një ofensivë si ajo e Kremlinit, e karakterizuar nga përparimi i mjeteve të blinduara dhe që ishte zhvilluar gjatë shkrirjes së ngricave, nuk mund të përfundonte brenda pak ditësh.

Tani, pas disa javësh betejash në llogore, duket se Moska është gati të zhvendosë një numër të madh ushtarësh në frontin lindor, duke filluar një manovër rrethimi për të marrë të gjithë Donbasin dhe Mariupolin. Nuk është e qartë nëse do të jetë një zhvendosje e trupave, e cila do t’i lejonte të pushonin ata që janë angazhuar dhe lodhur në më shumë se një muaj luftime, apo nëse do ketë një rritje e numrit të personelit në terren”- shprehet eksperti.

Është e vështirë të besohet, shton ai, se rifitimet e vogla territoriale nga ana e ukrainasve, apo tërheqjet e disa njësive nga disa fronte, mund të jenë një tregues i një dështimi në shkallë të gjerë të ushtrisë ruse të angazhuar në Ukrainë.

“Rusët kanë pësuar sigurisht disa disfata, siç është normale të ndodhë në një luftë. Por unë nuk mendoj se këto episode të vogla, mund të konsiderohen si shenja dështimi. Mendoj se zhvendosja e trupave nga Kievi, është më shumë sinjali i një riorganizimi, që parashikon një humbje të vogël të terrenit, e cila do të kompensohet nga një ofensivë e madhe në Donbas.

Luftërat e llogoreve siç është edhe kjo aktualja, fitohen në përgjithësi nga ushtritë më të mëdha dhe që janë më të gatshme të marrin parasysh edhe një numër të madh viktimash, dhe mua më duket se Rusia i plotëson të dyja këto kërkesa. Moska nuk do të bëjë asnjë hap prapa”- deklaron Bertolotti.

Kjo është aq e vërtetë sa pas një pushtimi përfundimtar hipotetik të rajoneve lindore, përparimi rus mund të vazhdojë më tej. Pasi të ketë marrë kontrollin e Donbass, shton eksperti, Moska mund të vendosë të përqendrojë të gjitha forcat e saj në Kiev, në një rrethim që do të ishte shumë më i rëndë se ai i parë deri më sot, i kufizuar në zonat periferike të kryeqytetit.

“Jo dhe aq me synimin për ta pushtuar atë, një epilog që do të kishte një vlerë të madhe simbolike, por që është shumë i komplikuar dhe i kushtueshëm për t’u arritur, por për t’u ulur në tryezën e bisedimeve nga një pozicion shumë i fortë”- përfundon Bertolotti. /abcnews.al