Kurçaj, urat 400-vjeçare/ Monument kulture të kategorisë së parë

schedule20:29 - 17 Qershor, 2023

schedule 20:29 - 17 Qershor, 2023

Mbart mbi 400 vite histori!Ura e Kurçajt pranë fshatit me të njëjtin emër në Krujë është ndërtuar rreth shekullit te XVIII. Dikur i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë sipas itinerarit: Tiranë-Zall-Herr-Rradhesh-Mukaj-Buronjë-Kurçaj-Barkanesh-Krujë.

Ura është e ndërtuar me një qemer të madh, gurë të fortë të zonës dhe dy dritare shkarkuese anësore. Në thembrat e qemerit të madh ruhen vrimat e trarëve të poshtëm të armaturës së harkut.

Kalldrëmi origjinal ruhet në anën e djathtë, me gurë lumi me breza tërthorë në ngjitje. E ngritur me mjaft elegancë mbi lumin e Zezës që buron nga Qafa e Shtamës ura përfaqëson një shembull të shkëlqyer të arkitekturës historike rajonale dhe të arritjeve inxhinierike të asaj kohe.

Gjurmët e katër shekujve më parë janë ende të freskëta. Historia qindravjeçare tërheq drejt këtij monumenti te kulturës se kategorisë së parë vizitorë të shumtë.

“Shqipëria është e mrekullueshme. Kam 12 ditë që po qëndroj këtu, isha në Berat, Gjirokastër, Ksamil e Lukovë. Nesër do të jem në Kruje e më pas kthehem në shtëpi”

Pak me tej në fshatin Kurçaj, mes malit të Krujës dhe Gamtit ndodhet një tjetër urë.

Nuk është urë mirëfilli, janë shkëmbinj shekullore ngjitur me njëri-tjetrin qe eu kanë ardhur në ndihmë banorëve për të kaluar lumin. Po aty mund të vizitohet një tjetër bukuri natyrore, ujëvara e grykës së shkallës.

Nisur nga çfarë natyra ju ka falur banorët e Kurçajt ndihen krenarë. Por bujaria e natyrës nuk mjafton. Banorët kërkojnë më shumë investime e vëmendje nga pushteti vendor. Në fshat nuk ka mjek dhe disa rrugë janë drejt shkatërrimit. Fshati Kurçaj njihet për disa produkte bujqësore e vreshtari por ajo çka bie më shumë në sy janë ullinjtë që i gjen të mbjellë në çdo pëllëmbë tokë.

Kurçaj, fshati i bukurive të rralla natyrore ndodhet më pak se 25 kilometra larg Tiranës. Atje mund të shkohet me makinë, por turistë të shumte zgjedhin të pershkojne edhe shtigjet e vjetra.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!