Investimet në infrastrukturën rrugore në Bashkinë e Kurbinit po hyjnë në fazën përfundimtare, duke ndryshuar ndjeshëm panoramën urbane dhe rurale të zonës.
Aktualisht janë 19 kantiere të hapura në të gjithë territorin e bashkisë, ku puna vijon me ritme intensive.
Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, deklaroi se projektet përfshijnë rikonstruksionin e rrugëve lidhëse të qytetit me akset kombëtare, si edhe asfaltimin e rrugëve të brendshme në Laç dhe në njësitë administrative të Kurbinit.
Falë kërkesave të banorëve dhe zbatimit të projekteve të financuara nga fondet e Bashkisë Kurbin, një pjesë e madhe e këtyre problematikave po marrin zgjidhje. Investimet do të vijojnë edhe në zona të tjera rurale, ku parashikohet shtrimi dhe asfaltimi i rrugëve të mbetura.
Një nga projektet më të rëndësishme që po zbatohet është rikualifikimi i tregut të Milotit, me një vlerë prej 271.474.923 lekësh, investim i financuar nga qeveria shqiptare.
Banorët e Kurbinit shprehen pozitivë për investimet e realizuara gjatë viteve të fundit, duke vlerësuar se përmirësimi i infrastrukturës po rrit cilësinë e jetesës.



