Focat e posaçme operacionale në bashkëpunim me Interpol Tirana, arrestuan në Tiranë një person me iniciale M. XH me qëllim ekstradimi drejt Italisë. 58-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Napolit/Itali ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Sipas autoriteteve Italiane ky person gjatë vitit 2016 dyshohet se ishte pjesë në një organizate kriminale, e cila merrej me trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe heroinë nga Holanda drejt Italisë.
Ndërkohë, një 27-vjecar banues në Kurbin është arrestuar për llogari të drejtësisë belge, si pjesë e një grupi që vidhte banesa e prona në Belgjikë.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të përbashkët ndërkombëtar të koduar “Pikaso”, me rezultat vënien në pranga të 8 shtetasve shqiptarë, 3 prej tyre në Shqipëri dhe 5 në Belgjikë.
Ndaj 27-vjeçarit nga Kurbini me inicialet E.K. ka një vendim “arrest me burg” nga Gjykata e Krimeve të rënda në Tiranë, për veprat penale “Vjedhje më shumë së njëherë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grup i strukturuar kriminal”./abcnews.al