Kur mund t’ia filloj fëmijës tim ushqimet e ngurta?

schedule19:15 - 11 Dhjetor, 2020

schedule 19:15 - 11 Dhjetor, 2020

Mjekët këshillojnë se: qumështi duhet të mbetet një ushqim shumë i rëndësishëm për beben edhe gjatë ushqyerjes me ushqime të ngurta, kjo pasi ai është në gjendje t’i ofrojë atij një sërë vlerash ushqyese. Gjithashtu, momenti i gjidhënies është tepër i rëndësishëm edhe për shkak se e mban atë afër nënës, duke i dhënë organizmit të tij gjithë elementët e nevojshëm mbrojtës në këtë periudhë ndryshimesh.

Si ta kuptojmë kur është momenti i duhur për të filluar ushqimet e ngurta?

Momenti ideal për të filluar ushqimet është muaji i 6-të, por duke qenë se fëmijët janë të ndryshëm, disa pediatër, dhe gjithashtu edhe specialistët e prodhimit të ushqimeve “Plasmon”, theksojnë se në disa raste specifike, mjeku mund të këshillojë që ndërhyrja me ushqime të ngurta të bëhet pas muajit të 4-t, por asnjëherë më parë, dhe jo më pas se muaji i 6-të.

Megjithatë, kjo ndodh në disa raste të veçanta, dhe nuk është një nismë që nëna mund ta bëjë pa këshillën e mjekut pediatër. Zakonisht, këshillohet që ushqimet të fillohen në muajin e 6-të për shkak se stomaku do të jetë më i aftë të tresë ushqime të tjera përveç qumështit.

Disa truke…

Nuk bëhet fjalë për të “mashtruar fëmijën tuaj”, por për disa këshilla që do t’ju vijnë në ndihmë në momentet e para të përgatitjes së ushqimit.

-Ushqimi duhet të jetë i hollë në fillim dhe me kalimin e kohës duhet të trashet edhe më shumë, në mënyrë që fëmija të mësohet gradualisht me ndryshimin.
– Provoni t’i jepni fëmijës në fillim drithëra (miell orizi) me qumësht, kjo pasi shija e këtij kremi do të jetë më e ngjashme me atë të qumështit që fëmija është mësuar të pijë që nga momenti i lindjes.

Në momentin që ai do të jetë mësuar me kremin e qumështit, i ofroni atij frutat dhe më pas perimet në mënyrë që ta ketë më të lehtë të pranojë shijen e tyre edhe pse ajo do të jetë diçka e re për të. Kur të ndodhë kjo duhet të jeni të sigurta se fëmija ka arritur të pranojë dhe ushqehet me ushqime që kanë trashësinë e duhur.

Frutat, një oaz mirëqenie për fëmijën!

• Avokado. Një frut i mrekullueshëm që mund të prezantohet në fillim të ushqyerjes me ushqime të ngurta (që nga muaji i 4-5).

• Molla. “Një mollë në ditë, një mrekulli për shëndetin”. Fëmija mund ta hajë nga muaji i 4.

• Kajsitë. Janë të pasura me beta karoten (Vitamina A), vitaminë C etj. Mund të konsumohen rreth muajit 8-10.

• Bananet. Janë shumë të pasura me vlera ushqyese dhe mund të konsumohen rreth muajit të 6.

• Boronicat. Janë shumë të pasura me antioksidantë, fibra, Vitaminë A dhe C. Mund të konsumohen rreth muajit të 8.

• Pjepri dhe shalqiri. Është i pasur me vitaminë A, C dhe kalçium. Ka gjithashtu një përmbajtje të mirë të beta karotenit i rëndësishëm për zhvillimin e syve dhe shikimit. Mund të konsumohen rreth muajit të 12.

• Qershitë. Janë shumë të pasura me vitamina. Mund të konsumohen rreth muajit të 24 pasi mund të shkaktojnë alergji dhe diarre tek fëmija.

• Portokalli. Është shumë i pasur me vitaminën C por nuk duhet të konsumohet para vitit të parë të jetës.

• Rrushi. Është i pasur me vitamina dhe kalçium. Fëmija mund ta hajë nga mosha 12-24 muajsh. Idealja do të ishte 24 muajsh.

• Kiwi. Është shumë i pasur me vitaminë C, fibra kalium dhe folate. Fëmija mund ta konsumojë nga muaji 8-10.

• Mango. Është e pasur me vitaminën K dhe mund të konsumohet nga fëmija në muajin 8-10.

• Pjeshkët. Kanë efekt diuretik dhe laksativ. Mund të konsumohen në muajin e 8-10.

• Kumbullat dhe dardhat janë shumë të pasura me fibra. Mund të përdoren që në fillimet e ushqyerjes.

*PhD.MD.Albana Daka, mjeke laboratori-nutricioniste 

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!