Këtë të premte në “Abc-ja e Mëngjesit” në një lidhje direkte me Enkel Demin ishte violinisti i njohur shqiptar Florian Vlashi, i cili vazhdon aktivitetin e tij muzikor në Spanjë.
“Nëse të mbyt dëshpërimi, vetmia apo trishtimi; nëse të zihet fryma apo të duket se s´ke më fuqi; kur dhimbja të të shtypë apo kur çdo gjë kujton se e humbe, mos u dorëzo: bëhu Nimrod, rebel në pritje të një agimi të ri ku do të jemi përsëri bashkë. Mos u dorëzo: ne që çdo ditë formojmë Sinfoniken e Galicisë të dërgojmë këtë mesazh shprese duke luajtur pa u dorëzuar” Edward Elgar (1857-1934) “Nimrod”, Nº 9 nga “Variacionet enigma” op. 36
Violinisti tregoi gjatë bisedës se Sinfonika e Galicisë ka zgjedhur që të përcjellë këtë mesazh duke luajtur me qëllimin që t’i inkurajojnë njerëzit që të mos dorëzohen.
Këto janë kohë të vështira si për Shqipërinë e Spanjën po edhe gjithë botën dhe kjo pjesë nga Elgar, sipas Vlashit përcjell mesazhin e duhur në kohën e duhur.
Ai shprehet:
“Ka pasur shumë mundësi për të zgjedhur vepra të tjera, shumë të njohura me të njejtin mesazh. Por nuk kishim mundësi t’i zgjidhim të gjitha prej tyre dhe zgjodhëm pikërisht këtë që është tepër shpresë dhënëse…”
Enkel Demi:
“..Ajo çka ju keni zgjedhur ipërshtatet shumë situatës sepse ka doza trishtimi shumë të mëdha, po ka dhe doza qëndrese po kaq të mëdha. Dhe në Spanjë, ju jeni duke përjetuar ditë shumë të vështira, ditë të jashtëzakonshme.”
Muzikanti i njohur shprehet më tej se dramat janë personale, por në këtë rast drama është e gjithë botës dhe thonë se ” dhimbja kur është e përbashkët është më pak dhimbje dhe gëzimi kur është i përbashkët është shumë tepër gëzim”.
“Por, në këtë rast është e pamundur që të jesh indiferend ndaj kësaj dhimbje të madhe që e ndjen kudo, në televizion, në radio në mesazhe.”
Duke qenë se jeton në Spanjë prej disa vitesh (Spanjë është vendi i dytë në Evropë më i prekur nga koronavrusi), Vlashi thotë se tashmë zemrën e ka të ndarë mes Shqipërisë dhe Spanjës. /abcnews.al/