Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Kur Jazz-i takon Ilirët” – Tiranës i rikthehen legjendat shqiptare përmes muzikës

schedule14:12 - 22 Qershor, 2026

schedule 14:12 - 22 Qershor, 2026

Muzika jazz do të takohet me historinë, mitologjinë dhe trashëgiminë shqiptare në një mbrëmje unike artistike që vjen në Tiranë nën titullin “Këngë dhe Rituale”.

Koncerti, i cili do të mbahet më 23 qershor në Liceun Artistik “Jordan Misja”, do të jetë me hyrje të lirë për publikun dhe premton të sjellë një udhëtim të veçantë etno-jazz nëpër kujtesën kolektive shqiptare.

I konceptuar dhe përpunuar tërësisht nga ana muzikore nga autori i projektit, aktiviteti synon jo vetëm të promovojë trashëgiminë muzikore shqiptare, por edhe të nxisë rolin e muzikës në edukimin e brezave të rinj.



“‘Këngë dhe Rituale’ ngjan me një udhëtim etno-jazz mbi tre histori të kujtesës shqiptare, të përzgjedhura nga projekti ‘Heritage is Our Brand’. Këto histori përbëjnë një mozaik të pasur të identitetit tonë kombëtar”, shprehen organizatorët.

Në qendër të këtij rrugëtimi artistik janë figura, legjenda dhe vende simbol të historisë shqiptare, duke nisur nga mitologjia dhe periudha ilire, për të vijuar me Mesjetën, traditat popullore dhe figurat kombëtare.

Mes historive të përzgjedhura janë “Mbretëresha Teuta”, “Mbreti Gent dhe Lulja e Mrekullueshme”, “Qyteti Antik i Antigonesë”, “Nymfeu i Apolonisë”, “Legjenda e Dragoit dhe Kulshedrës”, “Gryka e Vajës”, “Kanioni i Holtës”, “Vrima e Nuses”, “Baliska, Vera Ilire” dhe “Mali i Tomorrit”.

Përmes tingujve jazz dhe elementëve tradicionalë shqiptarë, koncerti synon të sjellë një qasje bashkëkohore ndaj trashëgimisë sonë kulturore, duke e bërë atë më të afërt dhe më të kuptueshme për brezat e rinj.

Një nga temat e trajtuara në këtë projekt është edhe ndikimi që jazz-i ka pasur në muzikën shqiptare ndër vite. Sipas studiuesve dhe muzikantëve, elementë të këtij zhanri kanë qenë të pranishëm në muzikën e lehtë shqiptare edhe përpara viteve ’90, duke dëshmuar një ndërthurje të hershme mes traditës dhe modernitetit.

“Këngë dhe Rituale” vjen kështu si një ftesë për publikun që të rizbulojë rrënjët, historinë dhe identitetin shqiptar përmes një gjuhe universale – muzikës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!