Kur Ilir Meta komentonte ndeshje futbolli nën thirrjet “Poshtë komunizmi”

schedule21:05 - 18 Dhjetor, 2020

schedule 21:05 - 18 Dhjetor, 2020

Ilir Meta, presidenti i Republikës së Shqipërisë, ka qenë shtangist në rininë e tij, ndërkohë që edhe futbollin e ka një pasion tijin. Sigurisht si ndjekës i këtij sporti, me të cilin e lidh edhe e shkuara. Madje ai ka bërë për disa kohë edhe komentatorin dhe diçka të tillë e ka rrëfyer në “Top Albania Radio” ditën e sotme.

“Kam qenë shumë i dhënë pas letërsisë e gazetarisë dhe kisha shumë dëshirë të shkruaja. Për shkak të këtyre të dhënave dhe për shkak të një miqësie, që babai im kishte me Ahmet Shqarrin, i cili ishte drejtuesi kryesor i emisionit më të ndjekur dhe më tërheqës për të gjithë sportdashësit në atë kohë, ‘Nga njëra ndeshje, në tjetrën’ në Radio Tirana, ai më ftoi për të qenë komentator.

Bëra një provë, por siç ju thashë më jepej për të shkruar, madje kam botuar tek gazetat “Studenti”, “Zëri i Rinisë”, pra isha i afërt si të thuash me gazetarinë. Kam komentuar disa ndeshje. Kam qenë komentator në veçanti për Kavajën, sepse nuk kishte një komentator të përhershëm. Gjithashtu kam qenë komentator për Lushnjen, për Fierin, por kam komentuar edhe në Tiranë me të madhin Ismet Bellova”, tregon Meta.

Më tejmi shton: Çdo të shtunë ose të diel, në Kavajë, në Fier dhe në Lushnje. Kjo ka ndodhur në vitet ’89 – ’90. Madje kam pasur dhe një histori interesante në Kavajë, kur stadiumi brohoriste “Poshtë komunizmi!”, para Lëvizjes Studentore. Ishte thyer xhami i kabinës ku unë transmetoja dhe kur më kërkon në transmetim z.Ahmet Shqarri dhe më thotë: “A jemi gati Kavaja?”.

Unë qëllimisht ju përgjigja: “Po gati jam”. Në momentin që unë filloj dhe komentoj, nuk dëgjohej fare se çfarë thoja unë, se stadiumi brohoriste: “Poshtë komunizmi”. Nga ana tjetër e linjës dëgjoj: “Ka një defekt teknik Kavaja, kalojmë linjën në një rreth tjetër”. Me fillimin e Lëvizjes Studentore, ra interesi im për të vijuar këtë angazhim.

Gjithsesi dashuria ime për radion mbeti e përhershme . Në atë periudhë, para viteve ’90, ishte një ëndërr e madhe të punoje në radio dhe të komentoje ndeshje. Në atë periudhë, e gjithë Shqipëria ditën e diel, me një radio Iliria, çdo familje ndiqte ndeshje futbolli. Ishte një nga kënaqësitë e mëdha të asaj periudhe”. /abcnews.al