Kur femrat u çonin letra dhe FSHF s’i linte të fitonte, rrëfehen trioja e Flamurtarit

schedule17:52 - 29 Prill, 2020

schedule 17:52 - 29 Prill, 2020

Flamurtari ka pasur një brez të artë futbollistësh në vitet 80’-’90, ndërkohë që kulmi ishte përballja me Barcelonën. Tre lojtarë të atij brezi, Kreshnik Çipi, Vasil Ruci dhe Përparim Lushaj janë bërë së bashku sot në emisionin “Fan Zone” në Supersport. Ata kanë folur për përballjet me katalanasit, por edhe për mënyrën se si funksiononin gjërat dhe dëshirën e federatës që trofetë të qëndronin në kryeqytet.

NDESHJET ME BARCELONËN – Kreshnik Çipi, në lidhje me ndeshjet me Barcelonën tha: “Të dyja ndeshjet kanë veçoritë e tyre. Entuziazmi në atë kohë ishte i madh, nuk ishim ndeshur më parë me skuadra të nivelit të Barcelonës. Në përballjen e dytë ishte më ndryshe, pasi kishim edhe më shumë eksperiencë. Ishim ekip i veçantë në atë kohë. Ishte një histori e gjatë, që ishte nisur nga brezat”.

 

Lushaj gjithashtu foli për sfidat me katalanasit: “Ëndrra kur ishim të rinj, ishte të luanim me fanellën e Flamurtarit. Treguam se Flamurtari ishte i denjë të përfaqësonte Shqipërinë në kupat e Europës. Nuk e kishim menduar kurrë se do ndesheshim me Barcelonën. Shumë lojtarë nga ata që ishin në ekipin tonë, ishin pa përvojë në ndeshje të mëdha. Kush e mendonte që mund të luante në “Camp Nou”. Nuk e mendonim kurrë që do ta eliminonim Barcelonën, por nga ndeshja e parë ne kishim më shumë besim. Ne jemi krenarë për atë kohë, çdo gjë arrihet me shumë punë dhe ne ia dolëm.

Po Vasil Ruci si i kujton ato ndeshje: “Në atë kohë, ndaj Barcelonës, kishim një ekip me lojtarë vlonjatë, plus kishim mbështetjen e madhe të tifozëve. Atëherë nuk kishte një individ të veçantë, të gjithë ishin shumë të mirë. Unë mendoj se ishin të gjithë të lavdishëm”.

TITULLI I VITIT  1986 – Kreshnik Çipi është i sigurt që Flamurtari në ato vite sulmohej: “Flamurtari në ato vite ka diktuar, por kam shumë argumente që Federata mendonte që Kupa të mbetej në Tiranë. Nuk kishte rëndësi nëse e merrte Tirana, Partizani apo Dinamo. Na sulmonin gjatë gjithë kampionatit.

 

Rasti flagrant ishte në sezonin 1985-86, kur ndaheshim me vetëm 1 pikë, ne luanim me Tiranën, ndërsa Dinamo në Gjirokastër, bëri diçka në lidhje me golat e shënuar dhe ata të pësuar dhe Luftëtari ia la ndeshjen 3-0 Dinamos, që mori Kupën”.

Edhe Përparim Lushaj mendon njëlloj: “Jam dakord me Kreshnikun, kam peng kampionatin e 1986, që na e hoqën në atë mënyrë. Në vitet ’80, Kupa duhej të qëndronte në Tiranë. Duhet të ishe shumë i përgatitur që për të marrë fitoret. Flamurtarit edhe në vitet e fundit i është mohuar një titull. Flamurtari i Idrizit është katastrofë dhe pothuajse i rënë nga kategoria”.

Sigurisht edhe Vasil Ruci do të thoshte fjalën e tij: “Ai Flamurtar diktonte, por për disa kushte të tjera dhe janë njësoj edhe në kohët e sotme, nuk arritëm të merrnim titujt. Ishte një ekip për t’u admiruar. Femrat në atë kohë na dërgonin letra, por me emra burrash dhe i shikonim kur hiqnim pullën”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!