Sibora Grifi dhe Enrik Selimi, të ftuar këtë të hënë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” shprehën rëndësinë e logopedisë për trajtimin e çrregullimeve të komunikimit. Duke u ndalur tek fëmijët, Selimi tha se vizita tek logopedi duhet bërë rutinë, të paktën deri në moshën tre vjeçare. Se kur duhet të shqetësohet prindi dhe t’i drejtohet një specialisti, ai tha:
“Nëse fëmija deri në moshën 16 muajsh ende nuk ka thënë fjalën e parë, mirë është që prindi të drejtohet tek logopedi të drejtohet për një konsultë. Kjo nuk përcakton se fmëija ka një problem, thjesht prindi ka nevojë për disa këshilla specifike që fëmija të stimulojë të folurin, çfarë po e pengon. Ne këtë po luftojmë që prindi ta bëjë vizitën tek logopedi si një vizitë rutinë të paktën në tre vitet e para të jetës.”
Ndërsa Grifi shpjegoi pikat kyçe për të kuptuar zhvillimin gjuhësor të fëmijës. “Përveç moshës 16 muajshe, në moshën 2 vjeçare marrim si gur themeltar si vlerësim që fëmija duhet të ketë 50 fjalë. Kjo nuk është se është e prerë me thikë. Ky është guri themeltar i zhvillimit gjuhësor. Pas kësaj në moshën 2.5 vjeç kur fëmijët vazhdojnë e flasin por nuk kanë një komunikim funksional dhe jo në rendin e duhur. Duhet të fillojmë të vëmë theksin se pas kësaj moshe duhet të flasim dhe për cilësinë e të folurit. Të përdorë fjalë dyshe.”, tha ajo. /abcnews.al


