Kur duhet t’i çojmë fëmijët në çerdhe? Kjo është një pyetje që prek padyshim të gjithë prindërit. Megjithëse, shumë prej tyre detyrohen t’i dërgojnë shumë herët për shkak të punës, ka nga ata që zgjedhin t’i çojnë më vonë. Por kur është mosha ideale? Për këtë çështje, folën në studion e emisionit “Abc-ja e mëngjesit”, Artenisa Ozaj, përgjegjësja e Sektorit të Zhvillimit dhe Kujdesit Psiko-Social, Blerina Spahiu dhe psikologia Aljona Jonuzi.
Jonuzi shpjegoi se fëmija duhet të jetë të paktën 12 muajsh që të shkojë në çerdhe. Nga ana tjetër, psikologia Jonuzi theksoi se nëse një fëmijë shkon në çerdhe kur është 1 vjeç apo pak më shumë do ta ketë të vështirë të përshtatet, ndërsa ata që janë 2 apo 3 vjeç vuajnë më gjatë.
“Ne sugjerojmë që prindërit t’i sjellin në fillim thjesht për të parë dhe godinën, për të parë stafin. Më pas në ditën e parë, mund të rrinë një çerek ore. Sugjerohet që prindërit t’ju japin një lodër të preferuar me vete. Më pas, gradualisht fillojmë duke shtuar orët, duke provuar ushqimin dhe duke fjetur gjumë. Këtu përfundon procesi i përshtatjes. Zakonisht zgjat dy javë por ndodh dhe më gjatë. Dhe mungesat ndikojnë negativisht.“, tha Blerina.
Psikologia Aljona vuri theksin gjithashtu dhe te mënyra se si reagojnë prindërit kur i dërgojnë fëmijët për herë të parë në çerdhe. “Fëmijët kuptojnë çdo gjë. Nëse jeni në ankth kur e çoni, fëmija e përjeton dhe ndjen se mami nuk ndihet e sigurt. Kështu që është e rëndësishme, ta ndajmë mendjen njëherë e mirë, të kemi besimin e plotë.”, tha Jonuzi. Shumë prindër preferojnë t’i çojnë fëmijët direkt në kopësht, por sa e drejtë është kjo?
Ata theksuan se fëmija duhet të ndjekë çerdhen para kopshtit pasi fëmijët socializohen dhe përshtaten me të tjerët. Është e rëndësishme që të shkojnë në çerdhe pasi përfitojnë më shumë gjëra që nuk i bëjnë dot në ambientet familjare.
“Normalisht fëmija është përshtatur, socializuar. E di rutinën që ndodh në një ambient, ka mësuar pjesën e vetë kujdesit. Edukatoret kanë një program të specializuar dhe të mësuarit e vetë kujdesit. Ata mund të heqin dhe veshin rrobat. Përshtatja është shumë e rëndësishme.”, tha Blerina.
Ndërsa pediatrja Lira Gjika tha se “shkencëtarët thonë para moshës 19 muajsh, fëmija është mirë që të mos lëvizë nga ambienti familjar. Një dy vjeçar duhet të jetë detyrimisht në çerdhe apo kopsht.” Sa i përket dilemës së prindërve që refuzojnë t’i çojnë fëmijët në institucione të tilla, Lira tha se ata duhet të bien në kontakt me virozat e ndryshme pasi në këtë mënyrë zhvillohet sistemi imunitar. /abcnews.al


