Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kur do të përballet seriozisht SHBA-ja me problemin e korrupsionit?

schedule09:42 - 18 Shkurt, 2022

schedule 09:42 - 18 Shkurt, 2022

Nga Brian Klaas “Washington Post

Nëse politikanët abuzojnë me detyrën e tyre për përfitime vetjake, por kjo lejohet me ligj, a janë ata fajtorë për korrupsion? Këtë muaj, ligjvënësit demokratë në Kongresin Amerikan, arritën një fitore të vogël në synimin e tyre për një qeverisje më të ndershme.

Drejtuesja e Kongresit, Nancy Pelosi, hoqi më në fund hoqi nga kundërshtimi i saj disa-mujor ndaj një projektligji që synon të pengojë tregtimin e aksioneve nga anëtarët e Kongresit. Përpjekjet për ta ndalur këtë praktikë, janë shtuar që nga zbulimi se disa ligjvënës të shquar (demokratë dhe republikanë) kishin shitur sasi të mëdha aksionesh, pasi morën informacione paraprake mbi ndikimin e mundshëm negativ të Covid-19.

Sigurisht, tregjet u tronditën, dhe politikanët përfituan nga kjo. Një sjellje dinake e tyre, apo jo? Po, por aspak e paligjshme. Hetimet e mëvonshme, nuk sollën asnjë akuzë penale për ligjvënësit në fjalë, pasi në fakt ata nuk kishin shkelur asnjë ligj.

Por ai episod, zbuloi një të vërtetë të shëmtuar. Ne synojmë të ndëshkojmë vendet e largëta, ku nuk ka dyshime se politikanët i përdorin postet e tyre publike për përfitime private.

Por shumë shpesh, ne amerikanët e injorojmë këtë fenomen në shtëpinë tonë. Kjo pasi korrupsioni i këtij lloji tek ne është i ligjshëm.

Pak javë më parë, organizata mbikëqyrëse “Transparency International” publikoi raportin e saj vjetor mbi nivelin e korrupsionit nëpër botë. Në Indeksin e fundit të Perceptimit të Korrupsionit, i cili mat perceptimet globale të praktikave korruptive, Danimarka kryesonte listën si vendi “më i pastër”, ndërsa Sudani i Jugut e kaloi për pak pikë Sirinë si vendi më i korruptuar në botë.

Ka një ironi shumë dëshpëruese në këto renditje, të cilat tolerojnë format më “të respektuara” të korrupsionit. Tek e fundit, banka më e madhe e Danimarkës për nga vlera e aseteve, Danske Bank, u zbulua kohët e fundit se kishte lehtësuar atë që disa e kanë quajtur skandali më i madh i pastrimit të parave në historinë botërore.

“Transparency International”, kap me saktësi atë që synon të masë:perceptimet globale mbi korrupsionin. Kur dëgjojmë fjalën “korrupsion”, na shkon menjëherë mendja tek kleptokratët me valixhet plot me para, apo zyrtarë publikë që marrin ryshfete në vendet në zhvillim, të cilët jetojnë përtej mundësisë që ofrojnë pagat e tyre zyrtare modeste.

Por ne nuk mendojmë mbi bankierët londinezë, kontabilistët e Ëall Street-it apo avokatët në Majami, të cilët i ndihmojnë oligarkët t’i lëvizin lirisht paratë e tyre nëpër botë, të papenguar nga taksat, entet rregullatore, apo sytë kureshtarë të gazetarëve. Ata mund të mos i vjedhin vetë këto para, por sigurisht që janë bashkëpunëtorë.

Dhe gjithçka është shumë e qartë. Ky keq-perceptim grotesk, e ndan botën e korrupsionit në dy kampe:të huajt e korruptuar që vjedhin paratë, dhe perëndimorët në dukje të pastër, që në fakt e mundësojnë korrupsionin e të parëve.

Kampi i parë nuk mund të përparojë pa të dytin. Por për sa kohë që vazhdon kjo ndarje, ne mund t’i lajmë duart nga njolla e korrupsionit, dhe të mos shqetësohemi për rolin që luajmë. Oliver Bullough, që në librin e tij “Moneyland”, ka shkruar gjerësisht mbi mënyrën sesi perëndimorët lehtësojnë korrupsionin, thotë se kjo nuk është rastësi.

“Për momentin, ne po shohim vetëm mafien në vendet e huaja, ndërsa po injorojmë bankierët-mafiozë në qendrat tona financiare, dhe kjo sjellje është hipokrite në rastin më të mirë, dhe raciste në rastin më të keq”- më tha ai.

Ai shton se masat tradicionale kundër korrupsionit, shmangin qëllimisht vënien para përgjegjësisë së perëndimorëve, që ndihmojnë në ruajtjen e parave në parajsat fiskle, apo lehtësimin e blerjes së artikujve me vlerë të lartë si super-jahtet nga fondet e paligjshme, pa u detyruar që të japin shumë shpjegime.

Por siç e bëjnë të qartë skandali i tregtimit të aksioneve nga kongresmenët, ne nuk jemi fajtorë vetëm për mundësimin e korrupsionit jashtë vendit. Edhe pse pak raporte nga organizata si “Transparency International” e kapin atë, sistemet tona të brendshme janë krijuar në një mënyrë të tillë që e fsheh korrupsionin, që përdor një gjuhë të mjegullt për të maskuar sjelljet, të cilat do të etiketoheshin qartazi si korrupsion, nëse do të ndodhnin në një vend post-sovjetik apo në Afrikën Sub-Sahariane.

Në Britaninë e Madhe, ministrat u kanë dhënë kontrata të mëdha miqve të tyre, një praktikë që krijuar dhe një fjalë të re:chumocracy. Disa nga problemet që kanë dalë në dritë në skandalet e fundit në Britani, janë ato që janë të bëjnë me lobimin dhe financimin politik në Shtetet e Bashkuara.

Sarah Chayes, një tjetër eksperte në luftën kundër korrupsionit, e bën këtë në librin me titull “Të gjithë e dinë:Korrupsioni në Amerikë”. Chayes thotë se amerikanët e dinë se sistemi i tyre politik është i korruptuar që në strukturë.

Ndikimi gërryes i parave në politikë, dhe konfliktet e turpshme të interesit, po e kalbin demokracinë tonë nga brenda. Gjithsesi Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 27 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

Tani disa anëtarë të Kongresit po përballen me perspektivën realiste të vendosjen se aseteve e tyre në të ashtuquajturat “blind trust”, në mënyrë që të mos mund të përziejnë kaq lehtë politikë-bërjen me fitimet. Disa nga kundërshtimet e tyre kanë qenë shumë domethënëse. Disa republikanë thuhet se janë ankuar se kjo nismë do ta bënte më pak tërheqës kandidimin për në Kongres.

Unë shpresoj që ata të kenë të drejtë. Duke pasur parasysh mënyrat se si e kemi legalizuar korrupsionin në Perëndim, ndoshta do të ishte një ndryshim i mirë largimi nga politika i njerëzve që janë më të shqetësuar për portofolet e tyre, sesa për t’i shërbyer publikut.

Si një mënyrë për të përcaktuar se kush është në politikë për të mirën e përbashkët, dhe kush është atje për t’i shërbyer vetes, projektligji në fjalë mund të sigurojë një fillim të mbarë. Hapi tjetër dhe më i vështirë, do të jetë pranimi se shoqëritë tona nuk janë ndoshta aq të pastra sa na pëlqen të pretendojmë. /abcnews.al

Shënim: Brian Klaas, është profesor i asociuar i politikës globale në Kolegjin Universitar të Londrës. Ai është autori i librit “Të korruptueshmit:Kush e merr pushtetin, dhe si na ndryshon ai”.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!