Pritjes i erdhi fundi. Në orën 20:45, kombëtarja e Shqipërisë do të zbresë në “Epet Arena” të Pragës për ndeshjen kundër Çekisë, e treta në fazën e grupeve në Ligën e Kombeve.
Një sfidë e rëndësishme për skuadrën kuqezi, që mund të vendosë shumë për fatin e tyre në këtë turne.
Me tri pikë pas dy ndeshjeve të para, Silvinjo dhe të besuarit e tij kërkojnë një rezultat pozitiv për të qëndruar në garë për vendin e parë në grupin B2.
Kombëtarja e Shqipërisë mbylli përgatitjet në Tiranë, ndërsa seanca e fundit stërvitore kristalizoi edhe idetë e trajnerit kuqezi për formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë.
Pak ndryshime nga dy sfidat e para të shtatorit, edhe ato të detyruara për shkak të mungesave.
Mirlind Daku pritet të udhëheqë sulmin e Shqipërisë, pasi futbollisti që luan me Rubin, është i vetmi “9” në listën e të grumbulluarve për dy ndeshjet e tetorit.
Një dyshim lidhet me mesfushën. Asllani u stërvit me pjesën tjetër të skuadrës vetëm në dy seancat e fundit, pas problemeve në muskulare.
Gjithsesi, futbollisti I Inter mori aprovimin e stafit mjekësor dhe me shumë mundësi do të jetë në fushë nga minuta e parë.
Pjesa tjetër e lojtarëve janë në dispozicion të Silvinjos, ndërsa do të kenë edhe ata mundësi për të treguar veten. Kjo edhe për kalendarin e ngjeshur të sfidave, ku Shqipëria do të luajë vetëm pas tri ditësh një tjetër transfertë, në Tbilisi kundër Gjeorgjisë./abcnews.al