Laçi-Egnatia, sot në fushë prej orës 13:30 për t’u përballur dhe për të përcaktuar se cili ekip do të kualifikohet në Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Kurbinasit e drejtuar nga Armando Cungu do kërkojnë të lënë pas barazimin me Kastriotin dhe të bëjnë detyrën ndaj rrogozhinasve.
Mungesat te Laçi janë disa, pasi lojtarë si Albion Marku, Adolf Selmani dhe Redon Xhixha janë grumbulluar me Shqipërinë U21. Trajneri Armando Cungu i gëzohet rikthimeve të Kërçikut dhe Shehut dhe mbetet të shihet se si do ta rreshtojë sot skuadrën.
Laçi dhe Egnatia janë përballur para pak kohësh edhe në një miqësore mes tyre, që u vendos nga një gol i shënuar prej mbrojtësit Obanor. Bardhezinjtë e vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin dhe nuk duan të surprizohen, sikurse ndodhi me Bylisin dhe Tiranën.
Të enjten dhe të premten u zhvilluan shtatë përballjet e tjera të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë dhe në çerekfinale janë kualifikuar Partizani, Teuta, Skënderbeu, Vllaznia, Kukësi, Korabi dhe Dinamo. /abcnews.al