Kupa e Shqipërisë/ Cungu dështon në debutim, Egnatia siguron me spektakël gjysmëfinalen

schedule15:26 - 5 Mars, 2024

schedule 15:26 - 5 Mars, 2024

Duket se kampionët në fuqi do të kërkojnë deri në fund të mbrojnë trofeun. “Rrogozhinasit” e Egnatias kanë arritur një rezultat spektakolar mesditën e kësaj të marte, teksa, në “Arena Egnatia” kanë mundur “dhunshëm”, “Kurbinasit” e Laçit, me rezultatin e thellë, 3 me 1, duke siguruar kështu, me rezultatin e përgjithshëm, 4 me 1, gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Fitorja e djemve të Edlir Tetoës u vendos që në pjesën e parë të sfidës, ku në minutën e 20’-të, “bomberi” nga Kosta Rika, Jurguens Montenegro dërgoi në rrjetë, një krosim të Aleksit dhe vetëm 18 minuta më vonë, pikërisht ky i fundit ekzekutoi në mënyrë perfekt një 11-metërsh, duke e dërguar topin në rrjetën e portierit, Dajsinani.

Me fillimin e pjesës së dytë, “Rrogozhinasit” shënuan menjëherë golin e tretë, sërish falë kostarikanit, Montengro, ndërsa në minutën e 61’-të, “Bardhezinjtë” e Armando Cungut shënuan golin e “nderit” falë, talentit 18-vjeçar, Olsi Myrta. Këta të fundit patë mundësinë për të ngushtuar diferencën në 3 me 2, mirëpo nga pika e bardhë e penalltisë, Kryeziu gaboi, duke mos e çuar topin në rrjetë.

Falë kësaj fitoreje, “Rrogozhinasit” e Egnatias, siç theksuam edhe më lart, sigurojnë gjysmëfinalen, për të dytin sezon radhazi, në Kupën e Shqipërisë dhe tashmë pret shortin për të mësuar kundërshtar, teksa kujtojmë se në pas kësaj sfide, në orën 17:00 do të zhvillohet përballja, Partizani-Kukësi, ndërsa të mërkurën do të zhvillohen sfidat, Tirana-Teuta e Vllaznia-Erzeni. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!