Kupa e Afrikës/ Mbetet vetëm finalja, “Shqiponjat e Gjelbërta” sfidojnë organizatorët më 11 shkurt

schedule12:36 - 8 Shkurt, 2024

schedule 12:36 - 8 Shkurt, 2024

Ish-trajneri I Tiranës, Emanuel Egbo, thoshte se nëse Nigeria nuk është në Botëror, nuk është as Afrika. Kjo shprehje e ish-portierit nigerian na kujtohet tani kur “Shqiponjat e Gjelbërta” arritën në finalen e Kupës së Afrikës. Në sfidën për titull, përballë do të ketë një tjetër emër të madh të kontinentit, Bregun e Fildishtë.

Nigeria ia doli në gjysmëfinale ndaj Afrikës së Jugut, por vetëm pas një beteje të vërtetë. Ekong e kaloi në epërsi, Osimhen e dyfishoi, por “sistemi VAR”, i lejoi afrikano-jugorët të mbesnin në lojë, pas një goli në minutën e 90’-të.

Përballja u mbyll në barazim 1-1, dhe ishte thuajse në barazpeshë, edhe pse Afrika e Jugut e mbajti topin shumë më tepër. Vetëm nervat e forta bënë që skuadra e trajnerit Jose Peseiro të fitonte 4-2 me penallti.

Shumë e fortë edhe gjysmëfinalja tjetër, dhe vendi organizator është vetëm një hap larg triumfit. Bregu i Fildishtë mundi 1-0 Republikën Demokratike të Kongos, me golin e vetëm shënuar nga “bomberi” i “Verdhezinjve”, të Borussia Dortmund, Sebastian Haller.

Finalja e parë pas 9 vitesh u arrit në një edicion të pazakonshëm kur “Elefantët” mbetën pa trajner, me francezin, Jean-Louis Gasset, i cili dha dorëheqjen pas dy humbjeve radhazi në grupeve, mes të cilave edhe ndaj rivalit të tanishëm të finales, Nigerisë.

Kampioni në fuqi, Senegali, këtë herë nuk mundi të përsëriste suksesin e dy viteve më parë, ndërsa rekordmeni i titujve Egjipti, u pengua nga dëmtimi i “Faraonit”, Mohamed Salah. Të dielën e 11 shkurtit, nigerianët do të synojnë të fitojë Kupën e Kombeve të Afrikës për herë të katërt, ndërsa Bregu i Fildishtë për herë të tretë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!