Kundërshtuan me dhunë gjyqtarin në Vlorë, arrestohen 3 vëllezërit

schedule10:14 - 16 Korrik, 2021

schedule 10:14 - 16 Korrik, 2021

Një situatë e pazakontë është regjistruar në ambientet e Gjykatës së Vlorës, ku pas një vendimi të dhënë, gjyqtari Arqile Basho 63-vjeç është dhunuar nga të paditurit.

Tre vëllezërit Myslym Myslimi 60 vjeç, Fatosh Myslimi 62 vjeç dhe Elmaz Myslimi 64 vjeç janë vënë në prangat e policisë së Vlorës, pasi akuzohen se dje, kanë dhunuar në ambientet e Gjykatës së Vlorës, gjyqtari Arqile Basho 63-vjeç pas një vendimi të dhënë.

Vëllezërit e arrestuar, kanë hedhur akuza në drejtim të këtij gjykatësi duke pretenduar se po i grabit pronën ndërsa sipas tyre vendimi nga gjykatësi është dhënë kundër tyre me korrupsion.

Në videot e shpërndarë në media shihet se si tre vëllezërit ndjekin nga pas duke fyer, madje edhe tërhequr nga uniforma gjyqtarin Basho, pas vendimit të dhënë në gjykatë.

“Sa lekë ke marrë, qen bir qeni”, dëgjohet të thonë vëllezërit në videon e publikuar në media.

Mësohet se çështja në fjalë ka të bëjë me një objekt që thuhet se është marrë nga një firmë ndërtimi për të bërë pallat.

“Bëhet fjalë për një shtëpi që banojnë, që na e ka dhënë firma, na e ka dhënë me kontratë sipërmarrje, i ka shitur të gjitha 2 herë hyrjet tona firma, ca bën firma tani bashkë me këta, na hedhin në gjyq ne. Ne kemi 8 vjet në gjykata. Ka dhënë një vendim të jashtëligjshëm, na grabit pronën me vendim gjykate, ia jep një tjetri që e ka shitur firma për herë të dytë, nuk na jepte shpjegim pse e ka marrë këtë vendim, e kemi ndaluar që të na jepte shpjegim, nuk e dhunuam, mua po më nxjerr në rrugë. Ky do më grabisë pronën, nuk kam shpresa, edhe çështjet e tjera i merr ky, përderisa i merr ky, ka diçka që nuk shkon, është e dyshimtë, 3 gjyqe të më marrë mua rresht ky gjyqtar, i merr në mënyrë korruptive, se një gjyq e ka marrë dhe na e ka dhënë kundra, pse duhet të marrë prap”, ka dëshmuar një nga vëllezërit.

Mbi tre vëllezërit e arrestuar rëndon akuza për veprën penale “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, kryer në bashkëpunim.e.l/abcnews.al/