Kundërshton politikën ndaj Gazës, jep dorëheqjen zëdhënësja e DASH në gjuhën arabe

schedule07:14 - 26 Prill, 2024

schedule 07:14 - 26 Prill, 2024

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit në gjuhën arabe ka dhënë dorëheqjen, duke përmendur mospajtimin e saj me politikën e Uashingtonit në lidhje me luftën në Gazë. Kjo është dorëheqja e tretë në Departamentin e Shtetit në lidhje me luftën në Gazë.

Në faqen e Departamentit të Shtetit në internet shkruhet se Hala Rharrit ishte gjithashtu zëvendësdrejtoreshë e Qendrës Rajonale të Medias në Dubai dhe iu bashkua diplomacisë amerikane në vitin 2006.

“Kam dhënë dorëheqjen në prill 2024, pas një karriere 18-vjeçare, për të kundërshtuar politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Gazës”, shkroi ajo në rrjetin e mediave sociale LinkedIn.

I pyetur në lidhje me dorëheqjen, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha gjatë një konference shtypi se departamenti ka kanale të caktuara për punonjësit që të shprehin pikëpamjet e tyre kur nuk pajtohen me politikat e qeverisë.
Pothuajse një muaj më parë, Annelle Sheline me zyrën e Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut njoftoi dorëheqjen e saj. Zyrtari i Departamentit të Shtetit, Josh Paul, dha dorëheqjen në tetor. Një zyrtar i lartë në Departamentin e Arsimit, Tariq Habash, i cili është palestinezo-amerikan, dha dorëheqjen në janar.

Shtetet e Bashkuara janë përballur me kritika ndërkombëtare dhe nga grupe të drejtave të njeriut lidhur me mbështetjen ndaj Izraelit ndërsa ai vend vazhdon sulmin ushtarak në Gazë kundër grupit Hamas. Dhjetëra mijëra njerëz njoftohet se kanë humbur jetën nga luftimet që kanë shkaktuar një krizë humanitare.

Ka patur njoftime për mospajtime brenda administratës së Presidentit Joe Biden ndërsa rritet numri i viktimave në luftën në Gazë.

Në nëntor, më shumë se 1000 zyrtarë të Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), pjesë e Departamentit të Shtetit, nënshkruan një letër të hapur me thirrjen për armëpushim të menjëhershëm.

Protesta kundër luftës në Gazë janë përhapur në të gjithë Shtetet e Bashkuara, aleati më i rëndësishëm i Izraelit.
Grupi islamik palestinez Hamas sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz, sipas të dhënave izraelite. Izraeli ka vrarë mbi 34,000 njerëz në Gazën e qeverisur nga Hamasi, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës. Lufta ka shkaktuar lëvizje masive të popullsisë, uri, dhe akuza për gjenocid ndaj Izraelit, të cilat ai vend i hedh poshtë./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!