Nga Juxhin Mustafaraj
Ndryshimet Kushtetuese që pritet të miratohen nga maxhoranca në fund të korrikut në Kuvend ka detyruar kreun e Shtetit, Ilir Meta të thërrasë sërish në takim kreun e opozitës, Lulzim Basha.
Në takimin e zhvilluar në Presidencë, kreu i shtetit i ka kërkuar krydemokratit Basha që të shpreh vullnetin e tij nëse për ndryshimet kushtetuese që po diskutohen në Kuvend, do të ishte i gatshëm të ulej sërish me mazhorancën në tryezën e Këshillit Politik.
Demokratët duket se janë të hapur për të qenë sërish pjesë e tryezës së këshillit politik, qëndrim të cilin Lulzim Basha i’a ka shprehur edhe kreut të Shtetit Meta. Lidhur me këtë qëndrim dhe angazhim të demokratëve, Basha ka njoftuar edhe partnertët ndërkombëtarë. Teksa pyetja është nëse do të ketë një ftesë të përfaqsuesve të opozitës jashtëparlamentare për të rimbledhur Këshillin Politik?
Takimin e kreut të shtetit me liderin e opozitës e ka nxitur edhe një shqetësim që Ilir Metës i është shprehur nga eksperti zgjedhor, Kristaq Kume, i cili mori pjesë edhe në ndryshimet që u miratuan në 5 qershor.
“Shqetësimi që unë i kam Metës adresuar ka të bëjë me faktin se duhet të kthehen jo vetëm me deklaratë por edhe me veprim konkret që do të thotë që thërrasin mbledhjen e Këshillit Politik”, thotë Kume.
Sipas ekspertit zgjedhor, marrëveshja e 5 qershorit duhet të miratohet e pandryshuar dhe pa shtesa të cilat do ta deformonin vullnetin e shprehur nën praninë e faktorit ndërkombëtar. /abcnews.al