Një nga lojtarët më të suksesshëm nga trojet shqiptare padyshim është Marash Kumbulla. Mbrojtësi i kombëtares sonë këtë sezon është transferuar te Roma dhe vazhdon me paraqitjet e tij të mira.
Së fundmi ai është prononcuar për mediet italiane dhe flet për humbjen e fundit 4-1 të skuadrës së tij ndaj Atalantës dhe konkurrencën në mbrojtjen e kryeqytetasve.
HUMBJA ME ATALANTËN – “Patjetër që do të flasim për këtë me trajnerin. Në pjesën e dytë, është e vërtetë që ne ramë. Ne luftuam, por kishim një ekip të fortë përpara nesh. Duhet të fillojmë përsëri, sepse nëse shohim prapa, nuk përmirësohemi dot kurrë. Duhet të shohim gabimet e bëra dhe mos t’i përsërisim më”.
ROMA DOBËT NDAJ TË MËDHAVE? – “Ne do të provojmë se nuk është kështu. Ne e kemi bërë tashmë duke barazuar kundër Juves dhe Milanit dhe duke treguar se mund të luajmë me të gjithë. Fatkeqësisht në pjesën e dytë shkoi keq, por ne do ta kompensojmë atë me ekipet e ardhshme “.
JETA NË ROMË- “Në fillim isha i përqendruar vetëm te ekipi. Menjëherë e vura veten në dispozicion të trajnerit. Jo, sinqerisht nuk kisha shumë probleme. Jam i qetë, qëndroj shumë në shtëpi. Në Romë bëj atë që bëra në Peschiera”.
KONKURRENCA – “Është ndryshe nga viti i kaluar, por unë kam mësuar shumë. Duke pasur lojtarë si Smalling, Mancini dhe Ibanez përkrah, vetëm mund të mësosh me ta. Tani ndihem shumë më mirë sesa kur mbërrita.”
ZGJEDHJA E ROMËS – “Roma dashuri me shikim të parë? Po, Roma menjëherë më tregoi interesin e saj. Pastaj pashë tifozët, trajnerin dhe programin e klubit dhe ata më bindën menjëherë. E gjitha ndodhi shpejt dhe nuk pata dyshime”, përfundoi Kumbulla. /abcnews.al