Kumbulla pranë rikthimit, “legjionari” i bashkohet “verdhekuqve” në stërvitje

schedule17:36 - 27 Tetor, 2023

schedule 17:36 - 27 Tetor, 2023

Menjëherë pas fitores ndaj çekëve të Slavia Prague, “verdhekuqtë” e Roma-s kanë nisur përgatitjet, për sfidën e pasdites të së dielës, ndaj “zikaltërve” të Inter, të vlefshme për javën e 10, të kampionatit italian të futbollit, Serie A.

Mirëpo, në stërvitjen e djemve të teknikut Jose Mourinho ka spikatur diçka, prezenca e qendërmbrojtësit të Kombëtares, Marash Kumbulla, me këtë të fundit që qëndron jashtë fushave të lojës prej datës 29 prill kur në një ndeshje ndaj Milanit, pësoi një dëmtim të rëndë në ligamentin e gjurit të djathtë.

Mbrojtësi 23-vjeçar është pranë rikuperimit të plotë pas një periudhe shumë të vështirë dhe shpejt pritet të jetë sërish në dispozicion të teknikut portugez, dhe jo vetëm, pasi pritet gjithashtu të jetë nën dispozicionin e teknikut Sylvinho, për 2 sfidat e radhës së kualifikueseve ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. /i.m /abcnews.al