Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, më pak se dy javë para zgjedhjeve lokale.
Zekerija Shahini, kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim në Likovë për zgjedhjet e 19 tetorit, mbeti i plagosur me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në një rrugë pas ndërtesës së Komunës së Kumanovës dhe autori qëlloi nga një makinë që ishte në lëvizje.
Zekerija, 43 vjeç, u dërgua në spitalin e Kumanovës, jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me ngjarjen është arrestuar një person dhe është në kërkim një tjetër .
Bashkimi Demokratik për Integrim, njoftoi se në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për shkak të seriozitetit të kësaj ngjarjeje, ka pezulluar të gjitha aktivitetet e planifikuara për këtë të martë. Partia kërkoi që institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për të rikthyer besimin e publikut dhe sigurisë në terren.
/abcnews.al/

