Qeveria ka miratuar kriteret për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për arsye mjekësore. Sipas vendimit të këshillit të ministrave, bima mund të mbillet në ambjente të hapura, sipërfaqe toke, të mbrojtura, sera apo tunele plastike si dhe të mbyllura, ambiente të izoluara me ndriçim artificial.
Deputeti i PS, Ilir Metaj tha se qeveria arriti të çmitizonte tabunë për kanabisin mjekësor. Sipas tij, grupet e punës kanë ndjekur praktikën e vendeve të tjera për të shënuar hapat dhe shmangur gabimet e mundshme. Sipas tij, një hap i tillë do të ndihmojë industrinë e shëndetit dhe ekonominë e vendit.
““Bëhet fjalë për një ligj të mirëmenduar sepse ka kaluar të gjitha fazat e konsultimit me ekspertë vendas e të huaj por dhe me grupet e interesit dhe publikun e gjerë. Qeverisa socialiste hodhi hapin për të normalizuar një tabu që ishte kthyer në një mit për Shqipërinë dhe pas analizës vendosi që të çmitizojë këtë tabu dhe ta ekonomizojë.
Bëhet fjalë për të krijuar një mundësi industrisë së shëndetit. Jemi vend i vogël dhe s’kemi luksin për të mbetur peng i perceptimeve dritëshkurtra por duhet të jemi të guximshëm për të hedhur hapin dhe marrë pjesë që na takon në këtë zinxhir global të vlerës së shtuar. Vullneti i qeverisë nëpërmjet këtij ligji ishte ai i mbylljes së çdo shtegu nga ku mund të hyjë ky krim dhe hapja e çdo dritareje ku mund të hyjë shëndet dhe prosperitet.
Miratimi i këtij ligji, ka bërë që grupet e punës të analizonin gjithë historikun e kësaj industrie në vende të tjera që e kanë praktikuar dhe të mbanin shënim hapat pozitivë por dhe gabimet që në vendet e tjera ishin bërë. Grupet e punës kanë qenë të fokusuar. Jam i bindur, sikurse edhe qeveria, që do të jetë një hap mjaft pozitiv jp vetëm si mundësi shërbimi ndaj industrisë së shëndetit por edhe për të nxitur ekonominë shqiptare”, u shpreh ai./abcnews.al