Kulluri: Nuk mund t’i kërkosh llogari Ramës përse Basha dogji mandatet!?

schedule17:37 - 20 Korrik, 2020

schedule 17:37 - 20 Korrik, 2020

Analisti Edvin Kulluri në studion e “ABC News” u shpreh se opinioni publik mbështet listat e hapura.

Gjatë intervistës në studio me gazetarin Endri Xhafo, ai tha se listat e hapura me këtë sistem aktual janë e vetmja mënyrë për të krijuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë.

Ai po ashtu theksoi se Partia Demokratike nuk po hapet, por thjesht po bën propagandë. Sipas tij djegia e mandateve ishte vendim i gabuar i liderit të opozitës Lulzim Basha, ndërsa shtoi se për këtë qëndrim, sot nuk mund ta kërkosh përgjegjësinë te kryeministri Rama.

Analisti shtoi se duhet bërë dallimi midis procesit dhe pazareve, pasi sipas tij nëse vërtet PD do të fliste për hapje, atëherë duhet të kishte një kongres, një diskutim, gjë e cila sipas Kullurit nuk është realizuar.

“Disa deputetë të PS e kanë firmosur procesin për listat e hapura. Kjo mund të jetë teatër, por ata janë aty. Çmimi i bojkotit të parlamentit dhe zgjedhjeve lokale do të paguhet shumë shtrenjtë. PD nuk duhet të pozicionohej për veten e saj kundër listave të hapura. Rregullat e lojës i ka prishur PD duke djegur mandatet. Duke mos qenë në parlament, nuk e di çfarë kërkon sot! Kjo nuk është përgjegjësi e Edi Ramës. Nuk mund t’i kërkosh llogari Ramës përse Lulzim Basha dogji mandatet”, tha analisti.

I pyetur se nëse do rikthehet në PD, ai theksoi se si fillim Partia Demokratike duhet të bashkohet.

“Parlamenti i ardhshëm dhe gara për deputet nuk është mundësi punësimi, flasim për politikë dhe kjo nuk është politikë. Përzgjedhja është përgjegjësi e rregullave të qarta që vendos kryetari i partisë, unë rregulla nuk shoh. Këta kanë shkatërruar principet e Partisë Demokratike. Nuk ka një debat. Çfarë mund të bëjë në një parti kur Lulzim Basha vendos çfarë thotë ai!? PD nuk po hapet është propagandë. Duhet të bëjmë dallimin midis procesit dhe pazareve. Nëse do të flisnim për hapje duhet të kishte një kongres, një diskutim”, tha më tej Kulluri./abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!