Vijon debati mes sekretarit për Marrëdhënien me Publikun në PD, Edvin Kulluri dhe analistit Frrok Çupi në emisionin “Real Story”.
Kulluri ka deklaruar se zgjedhjet e 14 Majit nuk ishin një test i vërtetë, ndërsa analisti iu kthye duke i thënë se Partia Demokratike e Lulzim Bashës nuk mund të rritet dhe këtë e kanë treguar parti më të mëdha pas Luftës së parë botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët kanë luajtur fatet e kombeve.
Kulluri: Këtu ka vetëm një rrugë për të qene kompetitiv zgjedhjet e ardhshme. Të jesh më i mirë se të tjerët, në ekip elektoral flas, lista deputetësh më të mira, më përfaqësuese dhe të kesh një program më të qartë politikë. Në këtë aspekt ne jemi në një periudhë pune, që është një provë në të cilën na ka vënë opinioni publik. Nëse ne nuk dalim me kandidatë më të mirë dhe nuk dalim me një program të qartë politik, patjetër që nuk do të marrim rezultatin që presim. Nëse i bëjmë mirë këto të dyja patjetër PD do rritet, nuk do të mbetet më e vogël siç është sot. Sepse ka një problem që kjo votë që është sot, është dhe pasojë e konjukturës elektorale. Për shembull, thonë që Sali Berisha ka 500 mijë vota, kjo është një gënjeshtër aq e madhe sa një elefant. Koalicioni ka marrë 500 mijë vota me gjithë kandidatën, por votat për këshillë bashkiak janë 250 mijë. Mos harrojmë një gjë që PD nuk ka pasur kandidatë te 50 bashki, të cilët natyrisht që do të votoheshin. Ti ke në Shkodër Xhemal Bushatin që ka marrë 6 mijë e 500 vota përpara një viti, sot do dilte dhe më mirë me këtë rezultat. Pra, nuk kemi pasur një test të vërtetë më 14 maj. Por a janë këto vota më shumë se votat e PS? Kjo është pikëpyetja.
Çupi: Në parti ndodh që po fillojë rënia, nuk ka rrugë dykalimshe. Domethënë, rënëia është rënie deri në eleminimin e partisë dhe nuk ka kthim pas. Nuk mund të jesh një parti që shkon drejt zhdukjes dhe të rikthehesh. Është e pamundur. Ne kemi sot një parti të vogël që është partia e Bashës dhe nuk mund të ndodhë që të bëhet më e madhe sesa është sot. Ka pasur parti shumë të mëdha pas Luftës së parë botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët kanë luajtur fatet e kombeve. Ka filluar rënia dhe kurrë nuk janë kthyer më./abcnews.al