Kullat në Tiranë? Veliaj: Gëzohem për katet se rritet taksa, me ato të ardhura bëmë shkollat. Opozita nuk e pengon dot zhvillimin

schedule20:53 - 14 Shtator, 2023

schedule 20:53 - 14 Shtator, 2023

Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se kjo mazhorancë ka 10-fishuar taksën për ndërtuesit dhe se falë këtyre të ardhurave, po bëhen shkolla të reja. Duke folur në “Real Story” në ABC News për çështjen e ndërtimit pas Kullës së Sahatit dhe te gropa e Hajdin Sejdisë, Veliaj tha se ato janë në truall privat.

“Dëgjoj disa njerëz që thonë: Nuk shohim Sahatin! -dhe ju them: Në çfarë kati te Torre Drin e ke shtëpinë? Se vetëm po të kesh shtëpinë te Torre Drin s’e sheh Sahatin se gjithë ne të tjerët e shohim nga sheshi. Aty po diskutohet Kempinski ose Sofiteli, dy brande të mëdha, në një zonë që ishte një zonë ferrash.

Më e bukura është se këta thonë janë të djathtë, janë pro pronës dhe ndërkohë flasin me një pasion për pronën e tjetrit. Se unë e kuptoj kur ti thua: not in my backyard dhe prona është publike, por tjetri që mbron pronë private. Gropa e Hajdin Sejdisë ka qenë gjithmonë private.

Dakordësia me të 18 pronarët aty ka qenë: Sa të rri djerrë, më mirë do mbyllet e t’i vëmë dy stola pastaj kur të merrni një vendim na thoni. Unë gëzohem për katet se rritet taksa.

Si mendon se bëhet “Sami Frashëri”? Me pensionet e gjysheve? Jo mo, bëhet me taksat e oligarkëve. Pra, ti i vë këtyre një taksë që unë e kam 10-fishuar. Po të ishin këta kaq pasionant për financat publike, për të ndihmuar bashkitë, të ishin bërë palë me mua kur rrita taksat.  Këta ishin dhe kundër taksave, edhe kundër ndërtimit, edhe kundër shkollës. Këta protestojnë dhe “Sami Frashërin” me të njëjtin zell që protestojnë kullat. Për fat të mirë të Tiranës dhe të Shqipërisë, ato ferra që ishin nëpër këmbë nuk e pengojnë dot më qytetin që të zhvillohet”, deklaroi Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!