Kulla shekullore/ U ndërtua mbi 2 shekuj më parë në Krujë nga fisi Kuqi. Ndërtesa rrezikon shembjen, nuk është investuar

schedule20:23 - 25 Nëntor, 2023

schedule 20:23 - 25 Nëntor, 2023

Ka një histori mbi 200 vjeçare. Madhështinë nuk ja kanë zbehur as shekujt dhe as mungesa e kujdesit ndaj saj.

Kjo kullë ndodhet në qytetin e Krujës dhe i përket fisit Kuqi. Viti i ndërtimit nuk dihet me saktësi, ata që e mirëmbajnë mendojnë se është ndërtuar mbi dy shekuj shkuar.

“Njërën dhomë, e kam pasur dhomë të pritjes. Dy dhomat e vogla kanë qenë të vëllezërve, kurse kjo tjetra këtu ka qenë e babait.”

Lirie Kuqi, një nga trashëgimtaret dhe bashkëshorti i saj Xhevat Gjana, të dy mbi 80 vjeç, janë të vetmit që mundohen të kujdesen për kullën që mbart vlera të rralla.

“Dy herë ra tërmet, e ka prishur. Është bërë meremetim i vogël, shiu hyn brenda. Ne nuk kemi mundësi.”

Ndërtesa, dykatshe dhe me dhoma shumë, dëshmon mënyrën e jetësës së një familje krutane mbi 200 vite para. Xhevati tregon se familja Kuqi e cila gëzonte këtë kullë ishte e kamur pasi merrej me tregti.

“Kjo shtëpia ka qenë edhe tregtare, janë marrë me tregti.”

Kishte dhoma të veçanta, për burrat, gratë dhe miqtë.

“Ka mbi 200 vjet si ndërtesë. Këtu del historia e Krujës. Këtu ka qenë dhomë pritje për miqtë, pastaj vazhdon kjo si godinë. Është godinë shumë e madhe.”

Të veçanta janë pikturat e shumta realizuar në muret e dhomës së pritjes.

“Këto piktura, çdo pikturë jep një pamje, jep një shpjegim.”

Përveç çiftit të të moshuarve, kulla pret shpesh mysafirë. Kryesisht student dhe turistë.

“Këtu vijnë turistë, është në mes të qytetit. Vijnë, shohin, fotografojnë.”

Edhe pse me vlera të jashtëzakonshme historikë e kulturore, ndërtesa nuk ka qënë në vëmendjen e institucioneve të cilat, fatkeqësisht, e kanë lënë në harresë.

“Nuk është vënë dorë fare. Mua më vjen keq.”

Megjithatë kurrë nuk është vonë për të ruajtur gjurmët e të shkuarës. Çifti i bashkëshortëve nuk e ka humbur shpresën dhe u bëjnë thirrje institucioneve për ndërhyrje./abcnews.al