Kastriotin sot e drejtoi Bekim Kuli, pasi trajneri Emiliano Çela ishte i pezulluar për këtë takim, ndërsa krutanët morën një fitore të rëndësishme ndaj Tiranës kryesuese, duke vazhduar kështu me serinë e fitoreve, ku tashmë shkon në 6-të rresht në kampionat.
Skuadra krutane është ekipi i momentit në kampionatin shqiptar, që këtë herë ishin bardheblutë “viktima” e tyre.
Pas ndeshjes Bekim Kuli u shpreh i lumtur që skuadra e tij tashmë ka arritur mbijetesën në superligë për sezonin e ardhshëm.
“Në çdo ndeshje kemi qenë me këmbë në tokë dhe kemi punuar shumë në aspektin taktik. Kundërshtari është shumë i fortë dhe duhen vlerat e tyre, sidomos në repartin e sulmit, pasi kanë treshen më të mirë. Sot u munduam të mbroheshim mirë dhe për fat të mirë gjetëm edhe golin që na dha tre pikët.
Mbrojtja fillon nga sulmi dhe ne sot u mbrojtëm shumë mirë. Bëmë presing te çdo kundërshtar, ndaj edhe portieri ynë pati pak ose fare punë për të bërë.
Synimi ynë primar është mbijetesa dhe këtë thuajse e kemi arritur. Për më lart e di vetëm zoti, por ne do vazhdojmë të punojmë dhe të shohim deri ku mund të shkojmë. Sa i përket licencimit nuk e di çfarë bëhet me procesin, por Europa do të ishte arritje madhore edhe në aspektin moral”, tha Kuli. /f.a/abcnews.al