Kuleba: 17 misione diplomatike ukrainase kanë marrë pako të dyshimta pas “letrës bombë” në Madrid

schedule12:37 - 3 Dhjetor, 2022

schedule 12:37 - 3 Dhjetor, 2022

Ministri i Jashtëm ukrainas Dymtro Kuleba ka thënë se 17 ambasada apo misione diplomatike të Ukrainës në mbarë botën kanë marrë “letra bomba” ose pako që përmbajnë pjesë kafshësh, përfshirë sytë e lopes gjatë ditëve të fundit, shkruan The Guardian.

“Nisi me një shpërthim në ambasadën e Ukrainës në Spanjë,” tha Kuleba. “Por ajo që pasoi këtë shpërthim ishte më e çuditshme, madje do të thosha e sëmurë,” tha Kuleba në një intervistë për CNN.

Një letër-bombë në ambasadën e Ukrainës në Madrid la të plagosur një pjesëtar të stafit. Një prej pakove i është dërguar kryeministrit spanjoll, zëvendëskryeministrit dhe ambasadës amerikane.

Zëdhënësi i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko tha se ambasadat në Hungari, Holandë, Poloni, Kroaci, Itali dhe Austri janë ndër ato që kanë marrë pakot e dyshimta.

Kur u pyet se kush mendonte se qëndronte pas letrave, Kuleba tha: “Ndihem i tunduar të them, të akuzoj Rusinë menjëherë, sepse para së gjithash duhet t’i përgjigjeni pyetjes, kush përfiton?

“Ndoshta kjo përgjigje është përgjigja ruse ndaj tmerrit diplomatik që ne i krijuam Rusisë në arenën ndërkombëtare, dhe kjo është mënyra se si ata po përpiqen të luftojnë ndërsa po humbasin betejat e vërteta diplomatike njëra pas tjetrës”.

Rusia ka mohuar çdo përgjegjësi për paketat në Madrid. Të mërkurën, ambasada e saj spanjolle tha: “Çdo kërcënim apo akt terrorist, aq më tepër i drejtuar kundër një misioni diplomatik, duhet të dënohet menjëherë”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!