Skuadrës së Kukësit do i duhet të “shtegtojë” përsëri për sfidën kundër Egnatias në ndeshjen e kthimit të “Kupës së Shqipërisë”, që do të luhet të mërkurën në orën 13:30.
Këtë herë nuk është as “Air Albania”, as stadiumi i Kamzës, as “Elbasan Arena”, por është stadiumi “Flamurtari”.
Nga Kukësi në Vlorë, kilometra të tëra për verilindorët për të luajtur një ndeshje në “shtëpi” në mungesë të liçensimit të stadiumit të tyre “Zeqir Ymeri”.
Shumë sakrifica për skuadrën e Kukësit e cila duhet të presë akoma për të luajtur në fushën e saj edhe pse stadiumi “Zeqir Ymeri” ka përfunduar së rikonstrukturuari por zyrtarë të FSHF-së nuk kanë dhënë dritën jeshile duke u shprehur se fusha nuk është gati për të luajtur ndeshje.
Sfida e parë e “Kupës së Shqipërisë” mes Egnatias dhe Kukësit është mbyllur me fitoren e rrogozhinasve me shifrat 3-1, dhe të mërkurën verilindorët përveç largësisë do sfidojnë edhe veten e tyre për të bërë të mundur kthimin e rezultatit, për të kaluar në fazën tjetër. Kupa e Shqipërisë për kuksianët është objektivi real në këtë sezon, prandaj një humbje të mërkurën do të ishte një dëmtim i madh për skuadrën e Diego Longos. /f.a/abcnews.al