Kukësi shpall “non grata” Enea Jorgjin

schedule16:59 - 11 Shkurt, 2018

schedule 16:59 - 11 Shkurt, 2018

Kukësi nuk e priti aspak mirë humbjen me Kamzën në Superligë. Klubi kampion reagoi duke akuzuar gjyqtarin, Enea Jorgji, që e dëmtoi me qëllim, në bashkëpunim edhe me palë të tjera.

Ishte ky moment që i acaroi pa masë.

Drejtuesit e Kukësit e quajtën të qëllimshëm vendimin e gjyqtarit, Enea Jorgji, për të mos dhënë 11-metërsh në favor të tyre në përballjen ndaj Kamzës, ndaj edhe reaguan ashpër.

Deklarata zyrtare e klubit verior ishte që arbitri Jorgji nuk ishte më i mirëpritur në ndeshjet e tij në Superligë këtë sezon.

Kukësi akuzoi Kamzën se e kishte blerë Jorgjin, por përmendi edhe Federatën Shqiptare të Futbollit si palë në faj.

Momenti patjetër ishte i dyshimtë dhe penalltia edhe mund të akordohej, veçse reagimi i trajnerit të kampionëve, Peter Pakult, nuk ishte aspak në sintoni me atë të drejtuesve.

Ai nuk e quajti të nevojshme të bënte ndonjë koment.

Austriaku, me të drejtë, deklaroi se kjo ndeshje ishte vërtet e veçantë, duke nënkuptuar mungesën e fatit.

Peter Pakult: “Unë si trajner, është hera e parë, e humba një lojë pa snjë rast të kundërshtarit”.

Pavarësisht nga humbja, Kukësi mbetet në pretendime për t’u kualifikuar për në Europë nga kampionati, ndonëse ekziston edhe një mundësi nga Kupa e Shqipërisë.

Pakult theksoi pikërisht këtë.

Peter Pakult: “Tani s’kemi çfarë bëjmë. Na mbetet të përqëndrohemi në sfidën me Tiranën sepse kemi një ndeshje shumë të rëndësisshme të mërkurën”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!