Kukësi pritet të përforcohet ndjeshëm për gjysmën e dytë të sezonit. Presidenti Gjici besohet se do të sjellë lojtarë të tjerë, për të synuar titullin kampion.
Ishte e qartë që kur mori ekipin në verë. Trajneri Armando Cungu nuk ngurroi t’ia bënte të qartë presidentit Gjici, se me atë përbërje Kukësi vështirë se do të ishte pretendent. Kaluan muajt, dhe skuadra veriore, diku mirë e diku keq, u ngjit në renditje me titullin që nuk duket aspak utopi, veçse Cungu kërkon përforcime në janar. Klubi ka lëvizur dhe drejtori sportiv Nderim Nexhipi duket se ka folur me disa emra.
Emri më i njohur që mund të bashkohet me ekipin në Janar, është ai i Vasil Shkurtajt. Sulmuesi i Luftëtarit, i kërkuar edhe nga Partizani, besohet se ka pranuar ofertën e Kukësit prej 60 000 eurosh në sezon, një shifër vërtet e lartë për Superligën shqiptare, sidomos në këtë kohë krize. Për presidentin gjirokastrit, Tavo, ky transferim është një lehtësim jo i vogël financiar, pasi tek Luftëtari lojtarët thonë se nuk marrin rrogat prej kohësh.
Bashkë me Shkurtajn, Kukësi do të marrë nga Luftëtari edhe organizatorin e ekipit, Rrocën, gjithashtu një lojtar shumë të mirë. Burime tek veriorët bëjnë me dijë se objektivi është përforcimi pikërisht në sulm dhe në mesfushë, ndërsa në mbrojtje besohet se ka garanci të mjaftueshme. Vetë trajneri Cungu nuk ka dashur të prononcohet, duke u mjaftuar të thotë se ka biseduar me klubin për disa lojtarë të rinj.
Drejtori Nexhipi ka biseduar edhe me klube ballkanas, dhe përmendet emri i sulmuesit të Buduçnostit, Igor Ivanoviç. Kukësi mban vendin e tretë në Superligë, me 31 pikë, pesë pikë prapa Partizanit, kur duhet edhe një javë deri në mbyllje të gjysmës së sezonit./abcnews.al