Kukësi do të vazhdojë të luajë larg stadiumit të tij edhe për shumë muaj. Kjo është shtëpia, nga e cila është larguar. Stadiumi i Kukësit nuk mund të presë ndeshje dhe skuadra, që thuajse vetëm emrin ka si e qytetit, po e ndjen këtë në garën për titull në Superligë.
Vendasit do të kthehen këtu vetëm, pasi impianti të rindërtohet dhe të jetë gati sipas parametrave të parashikuar, por kjo do të kërkojë kohë. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë se, sipas të gjitha gjasave, stadium nuk do të jetë gati përpara fundit të vitit.
Pra, Kukësi do të luajë jashtë fushe, jo vetëm deri në fund të këtij sezoni, por edhe për gjysmën e edicionit të ardhshëm. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës, Arben Dervishi, i ftuar në emisionin “Presing” në Abc News, tregoi sesi është gjendja, tani për tani.
Bëhet fjalë për një projekt prej rreth 6 milionë eurosh, të financuar barabar nga Federata dhe qeveria, dhe që parashikon rindërtimin e pjesshëm të tribunës kryesore, rindërtim të tribunave të tjera, krijim të kushteve sanitare, të parkingut dhe rregullim të rrugëve që të sjellin dhe të largojnë nga stadiumi.
Për momentin, të besuarit e trajnerit Armando Cungu janë në kushte të pabarabarta me rivalët e tjerë, së pari me Partizanin. Barazimi me Laçin ishte paralajmërimi i radhës, sesa e vështirë është të fitohet trofeu kur nuk luan në shtëpi./abcnews.al