Kukësi nëntokësor/ Qyteti i fortifikuar që ndërtoi komunizmi, për mbrojtje nga sulmet imagjinare

schedule15:13 - 23 Mars, 2024

schedule 15:13 - 23 Mars, 2024

Qyteti i vogël i Kukësit njihet për mikpritjen, natyrën se bukur, i rrethuar nga malet e larta, por ajo që e bën të vecantë këtë qytet është historia e ndërtimit të tij. Shumëkush ka dëgjuar për Kukësin e ri dhe Kukësin e vjeter, por shumë pak i njohur është një tjetër Kukës, ai i nëndheshëm që ndodhet poshtë qyteti ekzistues.

Pasi Fierza përmbyti Kukësin e vjetër, në vitinn 1962 nisi ndërtimi i Kukësit të ri.

Teksa Kukësi i ri, nisi jetën e re mbi sipërfaqe, 30 metra poshtë tij, në vitin 1968 nisi ndërtimi i qytetit të nëndheshëm, nje vendstrehimi gjigand dhe i fortifikuar, për të strehuar banorët në rast sulmi.

Hyrjet që të çojnë në qytetin nëntokësor janë të shpërndara në të gjithë Kukësin, por shumë prej tyre sot janë të bllokuara.

Kukësi i nëndheshem ishte planifikuar si një qytet i mirëfillte i fortifikuar për të strehuar të gjithe banorët në rast të një sulmi të mundshëm. Kjo është një nga hyrjet që të çon në qytetin nëntokesor.

Inxhinieri Feti Gjici, sot është 76 vjeç, por ishte shumë i ri kur pushteti i kohës i besoi zbatimin e planit të ndërtimit të vendbanimit nëntokësor më të madh në rajon.

Inxhinieri na shoqëron në një nga hyrjet, që ndodhet në periferi të qytetit dhe tunelet e gjata si një labirinth të çojnë në brendësi të qytetit nëntokësor.

“Ju i mbani mend të gjitha tunelet se ku të çojnë? Po pajeter. Janë të shpërndara në të gjithë qytetin. Një hyrje shërbente për 300 banorë të lagjes”.

Detyra e Gjicit në atë kohë ishte të ndërtonte një kopje të nëndheshme të Kukësit. Kujton se për projektin nuk bisedonte me askënd, madje as me bashkëshorten.

“Nuk e dinte se çfarë bëja unë. Po si ia mbaje kaq sekret të paktën gruas?  Atdheu mbi të gjitha. Kështu ishin udhëzimet. Po çfarë mund të dinin qytetarët se çfarë po ndodhte këtu poshtë? Ata dinin vëtëm për hyrjen e tyre, sekret ka qenë shpërndarja e rrjetit të tunelizimit”.

Kukësi nëntokësor ishte i projektuar si një qytet i mirëfilltë, që do të kishte administratën, spitalin me 300 shtretër, institucionet arsimore, furrat e bukës dhe çdo gjë tjetër, por ku jeta nuk ishte në dritën e diellit

 “Janë rreth 8 km në të gjithë qytetin, thellësia 30 metër, 29, sipas relievit të qytetit. Këto janë ambjentet e filtrimit që janë në fillim të çdo hyrje”.

“Kjo është një tavolinë betoni për zyrën, është një element i një zyre. Këtu ka qenë abjenti ku bëhej kontrolli i personelit”.

Për ndërtimin e tuneleve, Gjici kishte në mbikqyrje një ekip prej 30 punëtorësh dhe çdo punëtor kalonte në sitën e shërbimeve sekrete.

“Të gjitha punimet janë bërë me krahë, nuk janë përdorur mina sepse shpërthimet dëmtonin qytetin sipër. Të gjitha kanë qenë të lidhura me energji, telekomunikacion dhe ujësjellës. Ndarjet sigurisht me tulla, po konstruksion betoni është”.

Ndërtimi i vendstrehimit nisi në përiudhën kur në të gjithë vendin udhëheqja komuniste vuri në zbatim planin e bunkerizimit të vendit.

“Variantet e strehimit ishin nën banesë, jashtë banesës në sipërfaqe dhe ai nëntokësor. Kushtet topografike e lejonin që të bëheshin strehuime nëntokësore”.

Prishja e aleancave rriti së tepërmi paranojat e diktatorit Enver Hoxha për sulme nga armiqtë.

“Çfarë e rrezikonte më shumë Kukësin që i duhej një strehim gjigand? Ishte në kufi me jugosllavinë, ne vijën e parë të kufirit”.

Kukësi është ndër qytetet më të fortifikuara dhe ky ndërtim që zgjati dy dekada e bën atë një aset të rëndësishëm të qytetit.

Renis Cenaj është 17 vjeç dhe prej 4 vitesh ai shoqëron turistët e huaj që vizitojnë qytetin, të cilët kanë interes të njihen me tunelet e nëndshme.

“Turistët e parë i kam shoqëruar para 4 vitesh. Tani kanë mësuar më shumë dhe janë të interesuar për ta vizituar”.

“Kjo ka qenë salla më e madhe. Ti ke mësuar edhe për çfarë kanë funksionuar? Jam mësuar të lexoj mbi historinë”.

Renisi ishte 6 vjeç kur u fut për herë të parë në qytetin nëntokësor dhe e ka përshkruar thuajse të gjithin. Dëshira e tij është që të vazhdojë pasionin dhe historinë e qytetit t’ua tregojë të huajve, e sidomos siç thekson ai britanikëve.

“Do ishte mirë që britanikët të vinin këtu. Nuk ke dëshirë që ti të ikësh një Londër? Kam dëshirë që të Londrës të vinë në qytetin tim”.

Qyteti nëntokësor u ndërtua për 22 vite. Në vitin 1990 përpara se i gjithë rrjeti të pajisej me funksionim të rregullt, puna u ndërpre pas ndryshimit te sistemit.

Pjesa më e madhe e tuneleve tashmë janë degraduar, ndërsa planet janë që qyteti nëntokësor të kthehet në muze, që do ta bënte atë atraksionin më të veçantë turistik të Kukësit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!