Kukësi mund 2-0 Luftëtarin në Elbasan, afrohet në 6 pikë me Partizanin kryesues

schedule20:41 - 2 Mars, 2019

schedule 20:41 - 2 Mars, 2019

Kukësi bëri detyrën duke mundur Luftëtarin në Elbasan dhe duke u afruar me Partizanin kryesues të Superligës. Kukësianët janë tani 6 pikë larg kreut.

Nuk pritej të ishte nga më të vështirat, por jo edhe kaq e lehtë.

Ka disa herë ndeshje të tilla në Superligën shqiptare ku gjithçka shkon sipas parashikimit, dhe ku me më shumë interes është të marrësh vesh rezultatin, sesa të ndjekësh lojën.

Kukësi mundi 2-0 Luftëtarin në një “Elbasan Arena” të boshatisur dhe u afrua në 6 pikë me Partizanin kryesues.

Limaj dhe Xharia shënuan në pjesën e parë për formacionin e trajnerit Cungu, ndërsa gjirokastritët u kujtuan të luanin vetëm në 25 minutat e fundit.

Në dhjetor, dy klubet u morën vesh për transferimin e Shkurtajt dhe Rrocës nga Luftëtari te Kukësi, dhe sulmuesi ishte në formacion, madje dha edhe top për gol, kurse mesfushori mungoi për shkak dëmtimi.

Kuksianët dominuan lojën deri në minutën e 65-të, dhe i vetmi lajm i keq për ta ishte dëmtimi i mbrojtësit të rëndësishëm Cuculi, i cili u detyrua të linte fushën e lojës.

Me Musollin po ashtu të dëmtuar, Cungu mund ta ketë problem qendrën e mbrojtjes, nëse shqiptari I Maqedonisë mungon gjatë.

Pas 24 ndeshjesh të luajtura, Kukësi ka 44 pikë ndaj 50 të Partizanit, ndërsa Luftëtari mbeti në kuotën e 25 pikëve, 5 pikë mbi zonën që të zbret në Kategorinë e Parë. /abcnews