Kukësi kthehet nga Turqia

schedule14:49 - 17 Janar, 2019

schedule 14:49 - 17 Janar, 2019

Kukësi është skuadra e parë e kthyer në Shqipëri, pas fazës përgatitore të dimrit. Partizani vazhdon ende stërvitjet në Antalia, ndërsa klubet e Superligës ende kanë plane për t’u përforcuar.

Tri miqësore dhe 20 seanca stërvitore. Ky ishte bilanci i Kukësit në fazën përgatitore të dimrit në Antalia, së cilës i erdhi fundi. Pas ngarkesave fizike dhe provave taktike, si dhe pas rezultateve mjaft të mira në ndeshjet e kontrollit, futbollistët udhëtuan drejt Shqipërisë. Gjithçka në fluturim shkoi mirë, ndërsa trajneri Cungu vendosi t’i linte dy ditë pushim lojtarët e tij, për të marrë veten nga një periudhë shumë e ngarkuar. Kukësi mund të quhet skuadra më e plotësuar gjatë dhjetorit e janarit, ndonëse u provua të bëhej edhe një ndryshim në sulm, largimi i Rezhinaldos dhe afrimi i një lojtari tjetër. Për futbollistin afrikan, mësohet se pati interesim edhe nga Partizani, pasi trajneri Gega e vlerëson aftësinë e Rexhinaldos për të shënuar, veçse klubi kuksian e hodhi poshtë kërkesën e kryeqytetasve.

Vetë Partizani është në prag të kthimit, edhe ai, nga Antalia, ku ashtu si Kukësi pati një fazë përgatitore pozitive. Formacioni i Gegës bindi në tri ndeshjet miqësore ndaj kundërshtarëve të fortë, po ashtu edhe në seancat stërvitore, dhe trajneri u shpreh me optimizëm. Gjithsesi, të kuqtë ende nuk janë përforcuar siç duhet. Një sulmues nuk ka ardhur, e po ashtu një mbrojtës i djathtë. Kjo po pengon edhe transferimet në dalje.Shumë klube interesohen për sulmuesin Mensah, si Tirana, Kukësi apo Flamurtari. Partizani është dakord ta largojë, por asnjë vendim nuk mund të merret pa marrë lojtarët e kërkuar nga Gega./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!