Kukësi barazim me Laçin, mbetet 5 pikë larg Partizanit

schedule17:00 - 26 Janar, 2019

schedule 17:00 - 26 Janar, 2019

Kukësi nuk mori dot më shumë se një barazim në ndeshjen ndaj Laçit, duke mbetur edhe më prapa Partizanit në renditjen e Superligës. Për fat të keq, u kthyen skenat e dhunës nga tifozët

Futboll do të thotë ajo që japin lojtarët në fushë, veçse për ndeshjen në stadiumin e Kamzës ia vlen ta nisim me atë që ndodhi në tribuna.

Tifozë të Kukësit goditën me sende të forta gjyqtarin anësor, Denis Rexha, duket të pakënaqur me arbitrimin e tij në sfidën ndaj Laçit.

Për fat, Rexha nuk pati pasoja, dhe loja nisi pas disa minutash ndërprerje, veçse veprimi I rëndë nuk mund të harrohet kaq lehtë.

Tifozët kuksianë, dhe këtu e kemi fjalën, për shumicën dërrmuese, u mërzitën edhe më shumë pasi fitorja nuk u arrit dhe skuadra e tyre mbeti 5 pikë prapa Partizanit, që kryeson Superligën.

Pavarësisht se ishte favorit, dhe ndonëse në formacion ishin dy blerjet e reja, mesfushori Rrocaj e sulmuesi Shkurtaj, skuadra e trajnerit Cungu nuk mundi të shënonte asnjë gol, dhe gjithçka u mbyll 0-0.

Natyrisht, kuksianët patën epërsi ndaj kurbinasve, duke krijuar rastet më të shumta për të shënuar, diçka që pritej.

Për fat të keq, nuk patën saktësi për të realizuar, ndërsa përballë tyre, portieri I Laçit, Selmani, ishte në një ditë shumë të mirë.

Kukësi, padyshim, ka edhe një problem shtesë në krahasim me ekipet e tjerë të Superligës, pasi nuk luan dot në stadiumin e tij, madje as nuk stërvitet përpara tifozëve në Kukës.

Kjo mund të rezultojë fatale në luftën për titull me Partizanin, madje në një kampionat me kaq shumë rivalitet, çdo dështim mund të rrezikojë edhe kualifikimin për në Ligën e Europës, që është objektivi minimal I presidentit Gjici.

Pasi luajtën ndeshjet e javës së 19-të, Kukësi ka 35 pikë ndaj 40 të Partizanit, që kryeson edhe më bindshëm Superligën.

22’ Kukësi kërkon penallti

31’ Laçi

41’ Kukësi

47’ Kukësi

62’ Goditet anësori Denis Rexha

66’ Kukësi

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!