Britney Spears beson se prindërit e saj, Jamie Spears dhe Lynne Spears, së bashku me një grua të paidentifikuar, kishin bërë plane për kujdestarinë ligjore të saj. Në një video të publikuar në Youtube, ajo foli për momentin kur u dërgua në spital psikiatrik për herë të dytë në janar 2008.
“Sinqerisht edhe sot e kësaj dite, nuk e di se çfarë bëra në të vërtetë. Duhet të imagjinoni, asgjë nuk kishte kuptim për mua.”, tha Britney. Këngëtarja tha se nëna e saj ishte përpjekur ta paralajmëronte për shtrimin e afërt në spital duke i thënë se kishte dëgjuar se disa njerëz po vinin për të biseduar me të.
“Ne ndoshta duhet të shkojmë në një hotel apo një vend tjetër.”, citohet t’i ketë thënë e ëma. “Asnjëherë nuk e kuptova se çfarë donte të thoshte. Nuk e besova. A po vjen një avokat këtu? Kush po vjen këtu?”, shtoi ajo. Pas kësaj bisede, mbi 200 paparacë po bënin foto përmes dritares së ambulancës që po e merrnin.
“Unë e di që tani ishte e gjitha e paramenduar. Një grua ia prezantoi idenë babait tim dhe mamaja ime e ndihmoi atë.”, shtoi ylli i muzikës. Britney nuk hyri në detaje rreth gruas që dyshohet se i prezantoi babait të saj idenë për ta kontrolluar përmes marrëveshjes së kujdestarisë ligjore.
“Nuk kishte drogë në sistemin tim, nuk kishte alkool, asgjë,” këmbënguli këngëtarja. Kujtojmë që gjykata i dha fund kujdestarisë ligjore të babait të saj vitin e kaluar pas deklaratave bombë të Britney-t se kjo e kishte privuar nga gjithçka.
/abcnews.al