Kufizimet e vendosura pë fundvit prej pandemisë i ka prekur më shumë bizneset. Eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj tha në “Abc-ja e Mëngjesit” se ekonomia e vendit është e brishtë dhe për pasojë e përjeton më shumë pandeminë, ndërsa shtoi se këto pasoja do të ndihen dhe vitin e ardhshëm.
“Ka patur një ulje të konsiderueshme të konsumit dhe si pasojë e pandemisë po dhe largimit të shqiptarëve. Moskonsumi hyn në një zinxhir të problemeve ekonomike që nëse qytetarët nuk konsumojnë fillojmë që tek restorantet nuk kanë mundësi që të qarkullojnë ato ushqimet që kanë blerë ose të paguajnë punonjësit. Mospagesa sjell përsëri një mos rritje të konsumit në pjesë të tjera të blerjeve.
Një problem që do ta ndjejmë dhe vitin që vjen, të paktën 6 mujorin e parë. Është një problem global por vendi jonë e ndiejmë më shumë sepse ekonomia jonë është e brishtë. Ka patur dhe vende të tjera europiane që janë mbyllur por e kanë fuqinë ekonomike që të paktën bizneset të mos mbyllen. Kemi parë nga karantina e Marsit deri tani janë mbyllur 40 mijë biznese dhe 50 mijë të papunë. Duhet të merren masa rrënjësore.”, u shpreh Danaj.
Shefi i kuzhinës Gëzim Musliaka u shpreh se kërkesa në restorante është ulur ndjeshëm, dhe se fasha e re orare ka prekur më shumë pjesën e darkës në një kohë të festave të fundvitit.
“Shpresojmë që të futemi sa më shpejt në ritmin normal. Kishim një ritëm kaq të sistemuar që në fillim të vitit kur vinim grupe turistike dhe ne promovonim atë që ishte më e mira e jonë. Nuk besoj se jemi në terma të fatalitetit, dhe do të vijë shumë shpejt koha që do të hapemi. Pjesa që na vizitonte sidomos Veriu i Europës e kanë vendosur Shqipërinë numër një në Ballkan për pjesën e gastronomisë.” , tha ai.
Në një lidhje me Skype menaxheri Sofokli Cali theksoi se megjithëse masat kanë kufizuar aktivitetin në bare, detyrimet fiskale vazhdojnë të mbeten të njëjta. “Kishim një farë shprese se dihet që jemi në vështirësi. Detyrimet vijnë dhe rriten, stafin mundohemi ta mbajmë në punë ndërkohë që detyrimet fiskale vazhdojnë të jetë të njëjta. Shpresa jonë ishte që të arrinin të shlyenin disa detyrime për fundvit. Ndërkohë që mesa shoh unë do të rriten detyrimet dhe duket si një rrugë pa krye.”, tha Cali.