Kufizimet e reja anulojnë prenotimet për festat, Topuzi: Sektori i turizmit drejt rrënimit

schedule16:15 - 22 Dhjetor, 2020

schedule 16:15 - 22 Dhjetor, 2020

Nga Erblina Mile

Anulohen prenotimet në bare dhe restorante pas vendosjes së kufizimeve të reja për lëvizjen e lirë.

Zak Topuzi, përfaqësues i Shoqatës së Turizmit për sektorin e Hotelerisë dhe restoranteve deklaron se kjo masë ishte e papritur dhe ka prekur më tepër Voskopojën,Tiranën dhe Vlorën të cilat mbeten më të preferuara për të festuar në një kohë që edhe kufijtë janë mbyllur.

 

“Ndërkohë që del ditën e shtunë dhe thotë ka përmirësime, të hënë merr vendime për kufizime. Pra duhet të jetë më e qartë dhe vendimet duhet të merren më parë, pasi janë me qindra njerëz që kanë prenotuar dhe ndodhen para një situate të vështirë q nuk dinë se çfarë të bëjnë. Pra gjenden para një situate të tillë, ku nuk dinë çfarë të bëjnë”, shprehet Topuzi.

Sipas Topuzit vendimi i fundit mbetet shumë i paqartë në zbatim, ndërsa ka munguar totalisht konsultimi me grupet e interesit.

“Duhet të ketë konsultime, pasi ka edhe gabime juridike. Kur thua mbyllen, bare restorante fast fod dhe lokale. Termi lokal para ’90 ka ekzistuar. Pra ka një ligj që specifikon dhe normalisht krijon konfuzion me organet që bëjnë kontrolle. Praktikisht hotelet nuk preken nga ky ligj pasi nuk përmendet”, thotë ai.

Në vendet e rajonit sektori i turizmit kryesisht hotele,bare e restorante  janë mbështetur me pagesa për punonjësit por edhe me financim. Ndërkohë në Shqipëri ka munguar kryesisht mbështetja.

“Kjo kërkon që qeveria të marrë masa të paktën në respekt të punonjësve që punojnë në këtë industri. Mund të them shembujt e rajonit vende që kanë mbuluar pagat për punonjësit e industrisë. Kanë mbuluar interesat e kredive të stokut të kredive, që nuk janë të pakta”, shprehet më tej Topuzi.

Shqipëria renditet  vendi i dytë  pas Malit të Zi në Bashkimin Evropian për impaktin që ka turizmi në ekonominë e vendit. Në vendin tonë  regjistrohen rreth 6.41 milion vizitorë në vit të cilët kontribuojnë  me  22%  të  Prodhimit të Brendshëm Bruto.

/abcnews.al/