Gjykata Kushtetuese i ka vendosur kufij SPAK-ut për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave të nxjerra nga telefonat celularë.
Avokati Rezart Kthupi, në një intervistë në “Newsroom” në ABC News tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron shumë gjëra dhe se vendimi përcaktoi pozitat e palëve.
Gjithashtu Kthupi nënvizoi se deri më sot prokuroria kishte kontroll të pa kufizuar ose të pakontrolluar në raport me hetimin.
“Ajo që vendimi i Gjykatës Kushtetuese bëri ishte një përditësim të nocionit të korrespondencës. Gjykata Kushtetuese e ka përditësuar në nivelin aktual ku përfshihen të gjitha mesazhet e format elektronike dhe gjithashtu njohu të drejtën për të bërë sekuestrimin edhe me të drejtë të OPGJ. Por është lënë deri në të drejtën e sekuestrimin, por jo për të aksesuar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe përcaktoi pozitat e palëve. Në nivelin praktik pas sekuestrimin duhet kërkuar nga gjykata autorizimin për të marrë të dhënat që duhet të jenë specifike. Pra kjo duhet të jetë logjika e të shkuarit në gjykata. Por nuk mund të shkosh tek të dhënat bankare që ka, tek faqet që ka vizituar. Ajo që arsyeton Gjykata Kushtetuese është fakti që thotë se në momentin që e bën duhet ta kthesh. Këqyrja e telefonit është mjet për kërkimin e provës. Në momentin që e bën këqyrjen telefoni nuk ka pse të jetë në Prokurori”, tha Kthupi.
Nga ana e tij, konstitucionalisti Bledar Dervishaj tha se SPAK nuk mund të shohë dhe të kopjojë çdo informacion në telefonat e sekuestruar.
Më tej Dervishaj shtoi se të dhënat që nuk kanë hetim asgjësohen. Pra sipas tij nuk mund të mbahen të dhëna pa mbarim në mënyrë të kufizuar.
“Shkeljet që kanë ndodhur nuk duhet të ripërsëritet. Nëse nis dhe kopjon dhe kërkon për gjëra të tjera, atëherë komplikohen gjërat. Ndaj duhen trajnime solid që të mos ketë devijanca”, tha ai.
/abcnews.al/


