Pakti detar është pika më e diskutueshme për arritjen e një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Greqisë. Megjithatë në fund të dyja fqinjët do të marrin çka kërkojnë sipas gazetës greke “To Vima”.
Kufiri detar me Greqinë duket se do të kënaqë të dyja shtetet fqinjë që po negociojnë. Është gazeta greke “To Vima” që duke iu referuar burimeve pranë qeverisë në Athinë sjell një pasqyrë të asaj çfarë është duke u diskutuar midis dy Ministrive të Jashtme.
“Marrëveshja e ardhshme midis Greqisë dhe Shqipërisë, e cila është hartuar nga ministritë përkatëse, është një nga proceset më të rëndësishme diplomatike në të dyja vendet. Arsyeja është se marrëveshja do të rregullojë çështjen e kufijve detarë të të dy vendeve dhe rrjedhimisht çështjen e Zonës Ekskluzive Ekonomike në hapësirën më të gjerë të Jonit, duke lejuar shfrytëzimin e depozitave të rëndësishme hidrokarbure që vlerësohen të ekzistojnë atje. Veçanërisht për Greqinë, e cila ka nisur “parcelizimin e tokës” në Jon, kjo ndarje është një përparësi vendimtare”.
Sipas gazetës greke, marrëveshja e re që po hartohet ka marrë parasysh kundërshtimet e palës shqiptare, duke i dhënë asaj më shumë hapësirë. Ana greke argumenton se kjo nuk ndryshon thelbin, ndërsa në të njëjtën kohë krijimi Zonave Ekskluzive Ekonomike në detin Jon është një precedent shumë pozitiv për Kastellorizon dhe të drejtat sovrane greke në detin në Egje. Sa i përket çështjes çame, Greqia nuk ka ndryshuar qëndrim. Shteti helen e ka konsideruar një faqe të mbyllur këtë histori që nga periudha e pasluftës së dytë botërore.
“Përveç kësaj, është sqaruar edhe në institucionet e tjera evropiane dhe gjykatat se mbrojtja evropiane e të drejtave të pronësisë nuk shtrihet në ngjarjet para vitit 1950”.
Ky qëndrim i qeverisë greke është pohuar edhe nga qeveria shqiptare pavarësisht deklaratave se në një farë mënyre diplomacia e Shqipërisë e ka bërë detyrën e saj, duke ia vendosur në tavolinë shtetit grek./abcnews.al