Chelsea arriti fitoren e tretë radhazi larg “Stamford Bridge” nën drejtimin e Thomas Tuchel. “Blutë e Londrës” fituan 0-1 përballë Barnsley, skuadër që garon në Championship.
Sfida e vlefshme për një bilete në çerekfinalet e FA Cup, u vendos nga goli i Tammy Abraham. Tuchel foli pas takimit për mediat, duke pranuar vështirësinë e hasur nga djemtë e tij.
“Jam i kënaqur për kualifikimin në çerekfinale. Shënuam një gol të bukur, por kundërshtarët u bënë agresivë dhe mund të na barazonin. Luftuam, teksa Kepa na shpëtoi në disa raste në pjesën e parë.
E pranoj që vuajtëm, por ndodh në këto lloj ndeshjesh dhe nuk dua të tregohem i ashpër ndaj djemve të mi. Sheffield Utd në raundin tjetër? Të dielën u përballën me ne, luajtën me shumë intensitet.
E tillë do të jetë edhe sfida që do të luajmë në mars. E ndjeja që do të përballeshim sërish me ta, jam i lumtur që këtë radhë do të luajmë në stadiumin tonë“, deklaroi trajneri gjerman. /abcnews.al