Nga Kori Schake “The New York Times”
Ka shumë gjëra që administrata Biden i ka bërë siç duhet, për sa i përket menaxhimit të krizës që ka provokuar Rusia në Ukrainë. Kreu i CIA-s ia përcolli Moskës njohuritë tona mbi grumbullimin e trupave ruse në kufi, dhe e bëri të qartë kundërshtimin tonë ndaj këtij akti.
Ndërkohë drejtori i inteligjencës kombëtare, i ka ndarë këto informacione me aleatët e NATO-s. Sekretari i Shtetit ka paralajmëruar mbi operacionet ruse të keq-informimit. Sekretari i Mbrojtjes dhe kryetari i Shefave të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, kanë konfirmuar gatishmërinë për të reaguar ndaj çdo lloj skenari.
Administrata po përgatitet të rritë ndjeshëm furnizimet me gaz drejt Evropës, në rast se Rusia ndërpret furnizimet e saj. Edhe NATO ka reaguar fuqishëm, duke siguruar vendet anëtare më të rrezikuara në lindje, dhe duke marrë në konsideratë vendosjen e forcave ushtarake shtesë të aleancës.
Ruajtja e unitetit të 30 vendeve të aleancës, është një arritje e madhe, po të kihen parasysh shantazhet e mëdha të presidentit rus Vladimir Putin. Por pavarësisht këtyre sukseseve, Rusia duket ende e gatshme që ta pushtojë Ukrainën.
Ai vazhdon të kërcënojë se do të përdorë forcën ushtarake, ndërsa presidenti Joe Biden po dërgon mesazhin, se Shtetet e Bashkuara kanë frikë të përballen ushtarakisht me Rusinë. Edhe nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë realisht të gatshme të luftojnë përkrah ukrainasve, është një avantazh shumë i madh në tavolinën e bisedimeve, nëse ajo do të shfaqë në dukje gatishmërinë për të shkuar në luftë.
Por me sjelljen e tij, Biden po e siguron Putin se nuk ka nevojë të shqetësohet për SHBA-në.
Pra problemi i vërtetë në politikën e administratës aktuale përballë krizës ukrainase, është vetë presidenti. Natyrës diskrete e vendimmarrjes, dhe mbështetja e tij e madhe tek këshilltarët që ndajnë kryesisht të njëjtin mendim me të, i mungon të menduarit rigoroz.
Kjo nxit një lloj arrogance, e çojë mund të çojë në gabime serioze. Deklarata e pamenduar e Biden muajin e kaluar se “një inkursion i vogël” nga Rusia kundër Ukrainës, mund të mos shkaktonte një kundërpërgjigje të ashpër nga Perëndimi, kërkonte një korrigjim të menjëhershëm nga administrata.
Ajo deklarata u kritikua ashpër edhe nga presidenti i Ukrainës. Ç’është më e keqja, zoti Biden ia bëri të qartë Putinit, se ai nuk duhet t’i frikësohet perspektivës së trupave amerikane që luftojnë në front në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës, duke thënë publikisht se “nuk do të ketë asnjë forcë amerikane që do të zbarkojë në Ukrainë”.
Interpretimi më dashamirës i veprimeve të presidentit, mund të jetë ai sipas të cilit, se në një përplasje midis dy shteteve të pajisura me armë bërthamore, bërja publike e kufijve të veprimeve të mundshme, mund të zvogëlojë rrezikun e llogaritjes së gabuar apo përshkallëzimit të situatës.
Dhe pas dështimit poshtërues që solli largimin nga Afganistani, çdo kërcënim me luftë i bërë nga Joe Biden do të ishte i pabesueshëm. Prandaj, ndoshta presidenti amerikan mund ta ngushëllojë veten, se kjo deklaratë i bën më të besueshme sanksionet, por edhe ndëshkimet e tjera me të cilat po e kërcënon Perëndimi Rusinë.
Por është pikërisht kjo arsyeja, pse presidenti duhet të rivendosë në plan të parë strategjinë e zakonshme amerikane të parandalimit, e cila u dëmtua rëndë nga vendimet e tij të nxituara mbi Afganistanin. Pozicionimet e trupave amerikane në Poloni, Gjermani dhe Rumani janë një fillim i mirë.
Por ato tregojnë vetëm që SHBA-ja është gati të luftojnë për të mbrojtur anëtarët ekzistues të NATO-s, dhe jo për rregullat e rendit ndërkombëtar që garantuan stabilitetin e Evropës për kaq shumë dekada. Pra Rusia e di se nëse e pushton Ukrainën, nuk do të përballet me forcat amerikane.
Dhe ne i kemi pranuar de fakto Rusisë një sferë ndikimi në vendet përtej kufirit të NATO-s. Kur Rusia pushtoi një pjesë të Ukrainës në vitin 2014, trupat e saj nuk bartnin asnjë simbol në uniformat e tyre. Këtë vit do të hyjnë zyrtarisht. Dhe kështu shembet një rend ndërkombëtar.
Në vend se të përjashtonte përfshirjen ushtarake të SHBA-së brenda Ukrainës, Biden mund të ishte fokusuar tek fakti që Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, kanë tashmë disa qindra forca në Ukrainë, të cilat po ndihmojnë në trajnimin e ushtrisë së saj për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e saj.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë një numër të madh forcash atje – më pak se 200 anëtarë të Gardës Kombëtare të Floridës – dhe jo një forcë luftarake, ndaj Rusia nuk duhet të ndihet e kërcënuar. Ndihma ndaj vendeve aleate për t’u forcuar mjaftueshëm për të mbrojtur veten, është në interesin e Amerikës.
Një parim themelor në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ka qenë se kufijtë ndryshojnë përmes negociatave paqësore dhe jo forcës. Është pikërisht kjo që e ka bërë Evropën paqësore, dhe e ka lejuar atë të bëhet shumë e begatë. Ndërkaq, ajo ka e ndihmuar edhe SHBA-në të jetë një vend i sigurt dhe i begatë.
Përveç dobësimit të strategjisë së parandalimit, presidenti Biden humbi një mundësi shumë të mirë për t’i ndihmuar amerikanët të kuptojnë, pse ne duhet të shqetësohemi për atë që po ndodh aktualisht në Ukrainë. Po ashtu, Biden duhet ta përgatisë popullin amerikan dhe aleatët e SHBA-së për sakrificat, me të cilat ka të ngjarë të përballemi të gjithë, nëse Rusia e sulmon Ukrainën.
Apo se mund të ketë një rrezik më të madh të përhapjes së luftës tek vendet aleate të NATO-s, të cilat Shtetet e Bashkuara e kanë për detyrë që t’i mbrojnë. Ka shumë gjasa që Shtetet e Bashkuara të detyrohen të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, nëse Rusia do të tregojë me sjelljet e saj se rregullat paqësore nuk vlejnë më për të.
Ndoshta do të ketë miliona ukrainas që do të largohen nga vendi për shkak të luftës, dhe që do kenë nevojë për strehim. Në një skenar të tillë, ne në SHBA do të përjetonim rritje të çmimit të karburanteve, pasi Rusia mund të ndikojë qëllimisht tek çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare.
Me shumë mundësi do të ishim edhe më të rrezikuar nga fushatat ruse keq-informuese.
Gjithashtu, mund të përballemi edhe me një aleancë akoma më të fortë Rusi-Kinë, që do të synojë të dëmtojë interesat amerikane në mbarë botën.
Që të gjitha këto janë zhvillime të padëshiruara, ndaj Biden duhet t’i përshtatë politikat për t’i mbrojtur këto interesa. Bota po bëhet më e rrezikshme për interesat amerikane. Ky nuk është faji i Biden, por i Vladimir Putin dhe i Xi Jinping të Kinës.
Janë ata që kërcënojnë fqinjët e tyre. Por Biden nuk po u shpjegon si duhet amerikanëve se çfarë po ndodh, pse duhet të shqetësohemi, apo çfarë duhet të bëjmë në këto kushte.
Gabimet e administratës Biden në politikën e sigurisë kombëtare, nuk kanë qenë gabime të koordinimit ndërinstitucional apo të caktimit të anëtarëve të gabuar në kabinet.
Ato kanë qenë kryesisht gabime të bëra nga vetë presidenti. Ai shpalli me zë të lartë se do t’i vendoste “të drejtat e njeriut në qendër të politikës sonë të jashtme”, gjë që nuk ndodhi. Apo se do ta lidhte “politikën e jashtme për klasën e mesme” me proteksionizmin tregtar. As kjo nuk ndodhi.
Unë besoj se problemet e Biden burojnë nga bindja e tij arrogante se ai ka të drejtë, dhe se ka pasur gjithmonë të drejtë, si tani edhe kur ishte senator apo zëvendëspresident, sidomos në lidhje me luftërat në Irak dhe Afganistan.
Në vend se të ngrinte një ekip të fortë dhe të pavarur të sigurisë kombëtare, shpeshherë ai ka emëruar vartës, por edhe zyrtarë veteranë të administratës së Obamës, njerëz që zakonisht pajtohen me perspektivën e tij.
Shtetet autoritare janë të brishta, pasi liderët e tyre e rrethojnë veten me njerëz që nuk duan ose nuk mund t’i sfidojnë gabimet. Shoqëritë e lira mund të jenë të ngadalta në miratimin e politikave, por më të qëndrueshme në zbatimin e tyre, edhe kur ato janë të kushtueshme.
Kjo sepse liderët duhet të fitojnë argumentin politik, dhe të fitojnë mbështetjen e publikut. Zgjedhjet e presidentit Biden po e dobësojnë qëndrueshmërinë e politikës amerikane, duke kënaqur më shumë preferencat e tij, në vend se të ndërtojnë një mbështetje më të gjerë për sfidat e vështira që kemi përballë.
Ne kemi më shumë gjasa ta shmangim luftën me Rusinë, duke e mbështetur diplomacinë tonë me fuqinë ushtarake, e cila e forcon strategjinë parandaluese, sesa duke ia treguar kundërshtarit frikën tonë më të madhe. Presidenti Biden duhet ta përmirësojë lojën e tij diplomatike.
Shënim:Kori Schake, ka punuar për Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së George W.Bush. Ajo është drejtoreshë e studimeve të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes në think-tankun “American Enterprise Institute”. /abcnews.al