Moderatorja e njohur, Fjodora Fjora ka folur së fundmi për djalin e saj të birësuar dhe vështirësitë me të cilat është përballur para se të merrte një vendim të tillë rreth një dekadë më parë. Në një intervistë që ka dhënë së fundmi, ajo e përshkroi periudhën gjatë birësimit si një “shtatzëni mendore”.
“Nuk ka qenë e thjeshtë, m’u desh të kaloja 1001 dilema dyshime, diskutime me veten dhe me familjarët, ka pasur edhe të tjerë që më kanë gjykuar, kanë menduar që është një vendim i nxituar. Më thoshin që pse, ti mund të lindësh vetë një fëmijë. Dilemat përgjatë muajve që vijonin procedurat e birësimit ishin si një lloj shtatzënie mendore.
Të bëhesh prind është si të rrëshqasësh mbi ujë pa u zhytur, ka momentet herë poshtë dhe herë lart, është një lloj përgjegjësie që nuk e shpreh me fjalë. Të gjitha vajzat që e dinë se si është të jesh mama, e dinë që asnjë fazë nuk është njëlloj, nuk e dimë në botë se çfarë ka ndryshuar se je në dispozicion të një qenie tjetër.”, tha ajo.
Teksa u pyet se si i përgjigjet djalit kur ai i thotë ku është babi, moderatorja rrëfeu se është shumë e hapur me djalin e saj, në lidhje me ndërtimin e familjes së tyre. “Ne kemi një formulë në shtëpinë tonë që asnjë familje nuk është e çuditshme për mënyrën se si vjen, prandaj duhet t’i pranojmë njerëzit dhe familjet se si vijnë se nuk është në dorën tonë zgjedhja.
Unë me Alteon kam qenë shumë e hapur për mënyrën se si ai ka ardhur në jetën time se si është ndërtuar familja jonë dhe për mënyrën se ne mund të jemi një familje që dikush mund t’i bashkohet familjes sonë dhe mund të ketë një figurë tjetër prindërimi. Për momentin jemi shumë mirë siç jemi”, u shpreh ajo.